TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Shkurt 2023, 17:01

Kushtetuesja pranon kërkesën e PD, shfuqizohet Bordi i Transparencës për ushqimet

Shkruar nga Pamfleti
Kushtetuesja pranon kërkesën e PD, shfuqizohet Bordi i
Gjykata Kushtetuese

Padia në Kushtetuese u dorëzua më 19 shtator 2022, nga deputeti demokrat Dashnor Sula. Ai deklaroi në atë kohë se kjo kërkesë vjen pas konstatimit se ky Bord nuk po u shërben qytetarëve

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Bordin e Transparencës për ushqimet. Pak javë më parë ishte Partia Demokratike që ju drejtua me një padi gjykatës, duke e cilësuar si antikushtetues aktin normativ me fuqinë ligjit, i cili solli ngritjen e një bordi që monitoronte çmimet e produkteve të shportës.

Kushtetuesja në argumentet e saj shprehet se nuk plotësohen kriteret që të nxirret një akt i tillë me fuqinë e ligjit.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata vlerësoi se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” dhe nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”” nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës”, shprehet gjykata.

Në fund ajo ka bërë me dije se shufiqzohen të dyja aktet e qeverisë, duke i dhënë fund abuzimit nga ana e këtij bordi. Ndërkohë duhet theksuar se në fuqi është ende Bordi i Transparencës për karburantet, i cili gjithashtu është kritikuar jashtë mase.

Padia në Kushtetuese u dorëzua më 19 shtator 2022, nga deputeti demokrat Dashnor Sula. Ai deklaroi në atë kohë se kjo kërkesë vjen pas konstatimit se ky Bord nuk po u shërben qytetarëve, por qeverisë për të mbushur buxhetin e shtetit teksa u shet thërrimet si paketë ndihme.

Sapo dorëzuam kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë për bordin për çmimet e ushqimeve. Qeveria i ka kthyer në ditë dimri të gjitha ditët e verës për qytetarët shqiptarë. Kanë paguar çmime të larta për të gjitha produktet ushqimore. Paketat e ndihmës së qeverisë ishin tërësisht të pamjaftueshme. Unë bashkë me kolegët e PD kemi bërë përllogaritje dhe del që është 76.7% rritja e produkteve të shportës. Gati dyfishim. Paketa që jep kjo qeveri janë vetëm thërrime. Kjo është për të ardhur keq dhe gjej momentin t’i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë me procedurë të përshpejtuar këtë kërkesë”, shprehej Sula.

Sula deklaronte se përveç mungesës së transparencës ka munguar edhe pjesëmarrja e qytetarëve në këto borde.

Njoftimi i gjykatës

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Republikën e Shqipërisë. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata vlerësoi se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” dhe nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”” nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3. Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

kushtetuesja cmimet bordi i transparences

Lini një Përgjigje