
Gjykata Kushtetuese u ka dhënë fund abuzimeve me çmimin e karburanteve, duke rrëzuar Bordin e Transparencës. Pas nisjes së luftës në Ukrainë filloi rritja e çmimit të naftës dhe benzinës dhe qeveria krijoi bordin në fjalë, qëllimi i të cilit ishte ndalimi i abuzimeve me çmimin. Mirëpo në fakt ky bord bënte fiksime të çmimeve dhe nuk lejonte konkurrencën.
Për këtë arsye PD ju drejtua me një padi Kushtetueses, e cila sot ka marrë një vendim që e nxjerr jashtë loje bordin. Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht padinë e PD duke vendosur: “Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Por çfarë thuhet në nenin 21/10? Aty përcaktohet se e vendos vetë Bordi se kur shfuqizohet. Kushtetuesja e rrëzon këtë pjesë dhe i bie që ky bord del jashtë loje. “Zbatimi i parashikimeve të këtij kreu fillon me shpalljen e situatës së veçantë me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij kreu përcaktohet me vendim të Bordit”, thuhet në nenin në fjalë.
Pak ditë më parë Kushtetuesja rrëzoi edhe bordin për ushqimet duke krijuar në këtë mënyrë konkurrencë. Qeveria përmes bordeve fiksonte çmimet dhe thuajse të gjithë karburantet tregtonin me të njëjtën vlerë lëndët djegëse. Tani hapet rruga që të ketë konkurrencë dhe luhatje çmimesh.
VENDIMI I KUSHTETUESES
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Lini një Përgjigje