TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Gusht 2024, 18:14

Kush fshihet pas skandalit me mbetjet? Dogana e Prishtinës përplaset me atë të Tiranës, prokuroria zbarkon te KURUM

Shkruar nga Pamfleti

Kush fshihet pas skandalit me mbetjet? Dogana e Prishtinës përplaset

Dogana e Kosovës rrëzon autoritetet shqiptare: Nuk kemi eksportuar asnjë lëndë të rrezikshme

Thellohet akoma dhe më tej skandali me anijet me mbetje që janë nisur drejt Tajlandës dhe Kinës. Në Tajlandë u bllokuan afro 800 mijë ton mbetje, të cilat po kthehen në vendin tonë. Por u zbulua se mbetjet janë dërguar dhe drejt Kinës. Dogana Shqiptare dje reagoi dhe deklaroi se mbetjet nuk kanë dalë nga territori shqiptar, por nga Kosova.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar Dogana e Kosovës, e cila thekson se nuk ka eksport të mbetjeve të rrezikshme.

Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:

– Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media.

– Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thekson Dogana e Kosovës.

Nga ky institucion thuhet se koncentratet e zinkut janë të nxjerra nga miniera e Trepçës dhe janë eksportuar në vazhdimësi.

Koncentratet e zinkut janë eksportuar në vazhdimësi dhe për dallim nga raportimi i mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, nuk bëhet fjalë për mbetje (electric arc furnace dust siq i referohet Bloomberg), por për koncentrat zinku të nxjerrë nga Trepça”, thuhet nga Dogana.

Dogana thotë se produkti koncentrat zinku i eksportuar ka përbërje të koncentruar të Zinkut (Zn), Hekurit (Fe), Plumbit (Pb) etj, dhe si i tillë nuk klasifikohet si mbetje. Legjislacioni që rrjedhë nga Konventa e Bazelit për Mbetjet e Rrezikshme aplikohet tek mbetjet dhe jo tek lënda e parë që eksportohet.

“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, shton dogana.

Dogana e Kosovës thotë ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha çështjet relevante me këto dërgesa dhe do të mbajë të njoftuar publikun.

Kjo deklarata shton akoma dhe më tej dyshimet se fshihet diçka më e madhe në këtë mes. Ose shteti shqiptar ka rënë, pasi janë me qindra kontejnerë që kalojnë në port dhe askush nuk i sheh, ose pas mbetjeve fshihet dikush tjetër. Sinjalet janë se çdo gjë është bërë me mbështetje të autoriteteve dhe kjo ka bërë që qeveria të mjaftohet vetëm me reagime sporadike.

Ndërkohë mësohet se Prokuroria e Durrësit pas nisjes së hetimeve është vënë në lëvizje, duke zbarkuar te kompanitë KURUM dhe Sokolaj. Nga hetimet rezulton se kompania Sokolaj ka qenë përgjegjëse për eksportin e këtyre mbetjeve, të cilat i ka blerë nga KURUM. Mësohet se janë pyetur përfaqësues të këtyre kompanive dhe janë sekuestruar dokumentet përkatëse.

Lini një Përgjigje