TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Shtator 2025, 21:23

Kush e porositi vrasjen e Azem Hajdarit? Nga nxjerrja në pritë, te zhdukja e provave dhe manovrat e Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Kush e porositi vrasjen e Azem Hajdarit? Nga nxjerrja në pritë, te

Shumë prova për vrasjen e Azem Hajdarit janë zhdukur. Prova më kryesore është një regjistrim i bërë ndaj Zenel Nezës...

Si sot 27-vite më parë, u vra në një atentat Azem Hajdari, në atë kohë deputet i PD. Edhe sot e kësaj dite, kjo vrasje ka shumë mister brenda. Disa persona janë dënuar dhe ndodhen në qeli, por nuk dihet se kush e porositi vrasjen e tij dhe cila ishte arsyeja e vërtetë.

Ditën e vrasjes, Azem Hajdari ndodhej në qytetin e Fierit, ku edhe merrte pjesë në një miting të organizuar nga Partia Demokratike, më pas u ndal në Lushnje dhe pasdite mbërriti në Tiranë. Në mbrëmje ai njoftohet se dikush e priste poshtë, ku ishin Fatmir Haklaj dhe Jaho (Salihi) Mulosmani.

Kush e porositi vrasjen e Azem Hajdarit? Nga nxjerrja në pritë, te
Azem Hajdari

Kjo është dhe pjesa më e debatueshme, pasi ka shumë nga ata që thonë se këtu ka gisht ish-kryeministri Berisha, i cili dyshohet se e nxori në pritë përmes ish-truprojës së tij Izet Haxhisë, i cili është dënuar me 21-vite burg si pjesëmarrës në krim. Thuhet se dikush e telefonoi Hajdarin.

Pasi u informua, Azem Hajdari me dy truprojat e tij, Zenel Nezën dhe Besim Çerjen zbresin dhe i drejtohen makinës që ishte poshtë, duke trokitur në xham. Në këtë moment  del nga mjeti Fatmir Haklaj dhe i afrohet me një kallashnikov në duar duke e qëlluar. Më pas, në të djathtë të tij supozohet të jetë afruar Jaho Mulosmani dhe në të majtë Naim Çangu, që të dy të armatosur. Në këto momente Besim Çerja, truproja i vendosur në anën e majtë të Azem Hajdarit bllokon armën e Fatmir Haklaj duke ia kapur fort me të dyja duart. Drejtimi i tytës së kësaj arme shihte në krahun ku gjendej Zenel Neza dhe Naim Çangu dhe nga e djathta në të majtë të Fatmir Haklajt, kur sheh se Fatmirit i bllokohet arma, Jaho Salihi afrohet dhe pretendohet se ka qëlluar me një pistoletë 9 mm në kokë shokun e tij Besim Çerjen.

Nga të shtënat vritet Azem Hajdari, ndërsa qëllohen Zenel Neza e Naim Çangu. Zenel Neza mbeti i plagosur dhe arriti të mbijetojë.

Manovrat e Berishës

Por kjo ngjarje ka shumë mistere. Vetë Berisha i drejtohej me një letër ambasadorit amerikan në atë kohë dhe akuzon truprojën e tij Izet Haxhinë si të përfshirë. Por që atëherë, ai kurrë nuk doli para drejtësisë qoftë dhe si dëshmitar. Kur u bë gjyqi për Jaho Mulosmanin dhe vëllezërit Haxhia, Berisha u thirr disa herë në gjykatë e prokurori si dëshmitar dhe kurrë nuk shkoi.

Po ashtu u zhvillua gjyqi i Izet Haxhisë dhe prokuroria bashkë me avokatin e tij kërkuan që Berisha të thirret si dëshmitar, por gjyqtari e rrëzoi kërkesën. Ishte gjyqtari Lazër Sallaku, ai i cili i mbylli dhe dosjen e CEZ, që e la Berishën jashtë gjyqit. Pra në 27-vite, Berisha nuk ka dhënë kurrë llogari për ekzekutimin e Hajdarit.

Zhdukja e provave

Shumë prova për vrasjen e Azem Hajdarit janë zhdukur. Prova më kryesore është një regjistrim i bërë ndaj Zenel Nezës. Pas atentatit, Zenel Neza mbeti i plagosur dhe shkoi në spital. Personi i parë që i shkoi në shtrat ishte Sali Berisha, i shoqëruar nga gazetari Ylli Rakipi. Ky i fundit kishte një diktofon në dorë dhe i marrin një dëshmi Zenel Nezës. Kjo dëshmi nuk u bë kurrë publike dhe kaseta u zhduk. Po ashtu Zenel Nezës ju dha pasaportë diplomatike dhe ai u largua jashtë vendit ku mori azil. Ai nuk dëshmoi kurrë qartë për ngjarjen.

Kush e porositi vrasjen e Azem Hajdarit? Nga nxjerrja në pritë, te
Berisha viziton Zenel Nezën në spital

Po ashtu një tjetër provë e zhdukur është ditari i ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta. Në dosjen hetimore ndodhet një letër e Perikli Tetës, i cili tregon se gjatë hetimeve atij i është sekuestruar nga grupi hetimor një ditar, ku ai ka shkruar të gjitha ndodhitë për vrasjen e Hajdarit. Në atë ditar ka pasur të dhëna shumë interesante, ku flitej dhe me emra konkretë. Por ai ditar nuk është më në dosjen e prokurorisë.

Kush e porositi vrasjen e Azem Hajdarit? Nga nxjerrja në pritë, te
Berisha duke bërë homazhe sot

Kur nisi gjyqi i Haxhisë, kishte shpresa se do dilte Berisha para drejtësisë, por gjyqësori u tregua sërish i pafuqishëm, duke dëshmuar ndikimin e ish-kryeministrit. Sot, pas 27-viteve, Berisha vuri lule te busti i Hajdarit, por janë të shumtë ata që besojnë se ai ka gisht në eliminimin e tij. /Pamfleti

Lini një Përgjigje