Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka theksuar se vendimet e kësaj gjykate nuk janë as këshilluese dhe as opsionale, por të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha pushtetet shtetërore.
Kjo deklaratë e Zaçajt u bë sot gjatë ceremonisë së prezantimit të Volumit II të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.
Zaçaj u shpreh qartë se moszbatimi i vendimeve kushtetuese përbën një shkelje të rëndë të rendit kushtetues, duke theksuar se çdo përpjekje për t’i vënë në diskutim ato, dëmton besimin e publikut në drejtësi dhe cenon qeverisjen demokratike në vend.
“Mos të harrojmë , vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar, ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet”, deklaroi ajo.
Kryetarja e GJK-së theksoi se dështimi në respektimin e vendimeve të kësaj gjykate kërcënon sundimin e ligjit dhe vetë funksionimin e shtetit demokratik.
Volumi II i Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese organizon në mënyrë sistematike vendimet e marra që nga viti 1992 e deri më sot, duke përfshirë standardet kushtetuese mbi të drejtat e njeriut, ndarjen e pushteteve dhe funksionimin institucional.
Zaçaj e cilësoi këtë udhërrëfyes si një mjet praktik dhe gjithëpërfshirës që shërben për:
-Gjykatat: si referencë për interpretim të qëndrueshëm të Kushtetutës;
-Prokurorët: si udhëzim për respektimin e të drejtave kushtetuese gjatë procedurave penale;
-Avokatët: për të rritur cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve;
-Institucionet ekzekutive: për të reflektuar parimet kushtetuese në politikëbërje;
-Qytetarët dhe shoqëria civile: për të forcuar ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e të drejtave;
-Studiuesit dhe akademikët: si burim i pasur për analizë dhe debat ligjor.
“Ky dokument nuk është thjesht një arkiv juridik, është një thesar i jurisprudencës shqiptare dhe një reflektim i gjallë i zhvillimit kushtetues të vendit”, tha Zaçaj.
Ajo përmbylli fjalën e saj duke theksuar se Gjykata Kushtetuese mbetet garancia e fundit për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave themelore të individit, duke bërë thirrje për respektim të plotë të autoritetit të saj.
Lini një Përgjigje