TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2024, 09:50

Kriza e drogës fentanil, mund të mbërrijë shumë shpejt edhe në Evropë

Shkruar nga Roberto Arditti

 Kriza e drogës fentanil, mund të mbërrijë shumë shpejt

Lista e të famshmëve, vdekjet e parakohshme të të cilëve janë të lidhura me fentanilin është e gjatë. Natyrisht, kjo është vetëm maja e ajsbergut...

Ishte 12 marsi i këtij viti kur qeveria italiane miratoi “Planin Kombëtar të parandalimit të përdorimit të papërshtatshëm të fentanilit dhe opiateve të tjera sintetike”, me propozimin e nënsekretarit Alfredo Mantovano. A ka mbërritur në Evropë kjo drogë shumë e rrezikshme?

A do të shohim edhe në kontinentin tonë, diçka të ngjashme me tmerret që po shihen në Shtetet e Bashkuara? “Ka që tani shenja të përhapjes së tij në Portugali dhe Britaninë e Madhe”- thotë Mantovano, duke ngritur alarmin mbi krimin e organizuar, që sipas asaj që u zbulua nga shërbimi sekret italian “po e teston tregun për të verifikuar lehtësinë e përfshirjes së tij”.

Në këtë aspekt, nënsekretari kujton rastin e Piacenzas, ku vitin e kaluar pati disa arrestime për “ndërmjetësim të furnizimeve me sasi të mëdha fentanili midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, me përfshirjen e 18 personave: u kapën mbi 100 mijë doza të fshehura mes faqeve të librave”.

Afro 841 mijë amerikanë vdiqën midis viteve 1999- 2022 nga përdorimi i tepërt i opioideve, me një rritje eksponenciale të këtij fenomeni vitet e fundit (110 mijë të vdekur vetëm në vitin 2022). Kjo do të thotë - dhe është një shifër që me shumë gjasa e nënvlerëson realitetin - mbi 300 të vdekur ditë, krahasuar me 115 vdekje në ditë nga aksidentet rrugore dhe 50 vrasje.

Në thelb, këto droga të maskuara shpesh si ilaçe, vrasin 6 herë më shumë se armët, në një vend që vazhdon t’i lejojë të gjithë me një lehtësi ekstreme të blejnë pushkë dhe pistoleta. Në pamje të parë, mund të duket thjesht një çështje shëndetësore, ndoshta e lidhur me një temë tani të pranishme në të gjitha shoqëritë kombëtare të ekspozuara ndaj erërave të forta të globalizimit.

Kriza e drogës fentanil, mund të mbërrijë shumë shpejt

Shumë njerëz përfundojnë të mënjanuar për arsye ekonomike, të cilat në Shtetet e Bashkuara janë të lidhura me një sistem të shtetit të mirëqenies, që sigurisht nuk është universalist si në Evropë. Ose mund të shpjegohet me vështirësitë e të rinjve, një fenomen gjithashtu jo me pak rëndësi në Amerikën e Veriut, ku kombinohet gjendja shpeshherë e pafavorshme të segmenteve të rëndësishme të disa komuniteteve, dhe në radhë të parë e afro-amerikanëve.

Për më tepër, nuk mund të nënvlerësojmë faktin se ajo që shkakton masakrën për të cilën po flasim, është një produkt i sintezës kimike që e ka origjinën nga një ilaç i ligjshëm, i përdorur gjerësisht dhe me sukses në terapinë kundër dhimbjes. Ai konsiderohet një nga mjetet më efektive në dispozicion sot për të lehtësuar vuajtjet e shumë pacientë në gjendje shëndetësore shumë kritike.

Sa për të pasur një ide se për çfarë po flasim, ia vlen të citojmë disa rreshta të përshkrimit zyrtar nga faqja e internetit e Ministrisë së Brendshme italiane, Departamenti i Sigurisë Publike: ”Fentanil është një qetësues me një fuqi të paktën 80 herë më të madhe se morfina. Fentanili dhe derivatet e tij, përdoren si anestetikë dhe analgjezikë si në mjekësi ashtu edhe tek mjekësia veterinare (Karfentanil). Molekula e saj dhe derivatet e saj i nënshtrohen kontrollit ndërkombëtar, siç janë derivatet jofarmaceutikë shumë të fuqizuar, si 3-metil fentanil, të sintetizuara në mënyrë të paligjshme dhe të shitura si “heroinë sintetike” ose të përziera me heroinë.

Përdorimi i përsëritur zhvillon shpejt tolerancën dhe varësinë ndaj tij. Sapo ndërpritet marrja e kësaj droge, shfaqen simptomat tipike të tërheqjes (djersitje, ankth, diarre, dhimbje kockash, ngërçe barku, të dridhura). Pasoja serioze shfaqen kur fentanili përzihet me heroinë, kokainë, alkool dhe anti-depresantë të tjerë të sistemit nervor qendror si benzodiazepinat.

Përdorimi i barnave antiretrovirale dhe frenuesve të proteazës për HIV-in, do të rriste nivelet plazmatike dhe nëse merret së bashku me fentanalin, do të zvogëlonte eliminimin e tij. Mbidozimi me të shkakton probleme serioz me frymëmarrjen, ndërsa mund të ndodhë edhe vdekja e papritur nga arresti kardiak apo reaksioni i rëndë anafilaktik. Tek njerëzit, mjaftojnë 2 miligram fentanil për të qenë vdekjeprurës. Ndërsa ka pasur vdekje aksidentale pas përdorimit për qëllime terapeutike, shumë vdekje kanë ndodhur pas abuzimit me produktet farmakologjike.

Kriza e drogës fentanil, mund të mbërrijë shumë shpejt

Përmbajtja e copëzave të përdorura dhe të papërdorura, të marra përmes injeksioneve, pirjes si duhani, kanë çuar shpesh në pasoja fatale. Në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, një numër i konsiderueshëm vdekjesh kanë ndodhur pas gëlltitjes së fentanileve të sintetizuara ose të “krijuara” në mënyrë të paligjshme, të quajtura ndonjëherë fentanil jo farmaceutik.

Lidhur me këto të fundit shumë vdekje lidhen me përdorimin e heroinës së kombinuar me fentanilin ose një nga analogët e tij të ndryshëm të fuqishëm, si alfa-metil fentanil dhe 3-metilfentanil.  Testet tek kafshët nga grupi i kërkimit farmaceutik Jansen, kanë treguar se fuqia analgjezike e fentanilit është 470 herë më e madhe se ajo e morfinës. Ndërsa karfentanili ishte 10 mijë herë më i fuqishëm se morfina.

Pra jemi përballë një “bombë kimike” të vërtetë, marrja e të cilit e ndihmon njeriun vetëm nëse menaxhohet nën mbikëqyrjen e rreptë mjekësore dhe me seriozitetin profesional më të lartë. Lista e të famshmëve, vdekjet e parakohshme të të cilëve janë të lidhura me fentanilin është e gjatë. Natyrisht, ajo është vetëm maja e ajsbergut.

Ndaj ne duhet të reflektojmë jo vetëm për koston e madhe të jetëve njerëzore, por edhe dëmet e mëdha sociale që gjeneron përhapja e këtyre substancave. Ne duhet ta kuptojmë fenomenin në dinamikën e tij të thellë, e cila ndoshta shkon përtej paralajmërimit të Giovanni Falcone - ndiq paratë - si një mjet thelbësor për të kuptuar logjika kriminale në çdo gjerësi gjeografike. Sigurisht, trafiku i tij është bërë një biznes mbresëlënës. Një tabletë fentanil shitet në SHBA me një çmim që varion nga 15-30 dollarë (ka shumë versione, secila me specifikat e veta, që të gjitha me një efekt të fuqishëm). Është e vështirë të vlerësohet se sa janë hedhur në treg, ndërsa dihet shifra se sa janë sekuestruar, dhe është një numër mbresëlënës.

Vetëm në vitin 2022, DEA (Administrata e Luftës kundër Drogës në SHBA), hoqi nga qarkullimi 379 milionë doza. Prandaj, duke llogaritur një vlerë prej 20 dollarësh për tabletë, flitet për 8 miliardë dollarë drogë të sekuestruar nga policia. Autoritetet rikuperojnë vetëm për 10 për qind të mallrave në qarkullim, dhe kjo do të thotë që xhiroja vetëm për Shtetet e Bashkuara është 80 miliardë dollarë, sa PBB-ja e një vendi si Uruguaji me 3.5 milionë banorë./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”

fentanil evropa

Lini një Përgjigje