Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore bllokon mishin me grip shpendësh, salmonelë dhe sëmundje të rrezikshme. Shqipëria vazhdon ta importojë dhe e shpërndan në tregje e institucione publike, me etiketa false...
Më 20 maj 2025, Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore – EFSA, mbështetur në Rregulloren 396/05 të BE-së, ndaloi futjen në vendet e Bashkimit Evropian të të gjitha mishrave të shpendëve dhe bagëtive me origjinë nga Brazili.
Ky vendim erdhi pasi kontrollet në pikat kufitare zbuluan prani masive të sëmundjeve të rrezikshme si bluceroza, gjuha blu, gripi i derrit, gripi i shpendëve dhe salmonela në sasitë e mishrave të importuara nga ky vend.
Në të njëjtën kohë, autoritetet braziliane e kanë pranuar zyrtarisht shpërthimin e këtyre sëmundjeve, duke informuar Komisionin Evropian për situatën emergjente më 16 maj. Katër ditë më vonë, Brukseli mori masat.
Por ndërkohë që BE ka mbyllur kufijtë ndaj këtij rreziku, qeveria shqiptare dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdojnë ta lejojnë importin dhe shpërndarjen e mishit të infektuar nga Brazili.
Madje jo vetëm kaq: shumë nga këto produkte, me etiketa false si “mish i freskët vendi”, shiten në tregje masive dhe përdoren në tenderë publikë për çerdhe, kopshte, shkolla, spitale, konvikte dhe qendra sociale.
Kujdes! Jemi përballë një krimi të heshtur dhe të organizuar, që nuk vret me armë, por me produkt ushqimor. Shqipëria merr rreth 80% të mishit të saj të pulave dhe bagëtive nga Brazili, përmes kompanive shqiptare dhe nën-kompanive në Maqedoni, Bullgari dhe Rumani.
Pavarësisht se Komisioni Europian dhe vetë EFSA i kanë dërguar sinjale zyrtare qeverisë shqiptare për ndalimin e këtyre importeve, në Shqipëri vazhdojnë të futen çdo ditë.
Sepse pas importuesve fshihen kompani monopol që kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, me qeveritarë të lartë dhe njerëz të politikës që përfitojnë përmes ortakërisë ose ryshfeteve.
Kosova e ndaloi menjëherë importin më 20 maj. Shqipëria jo. Sepse në Shqipëri, biznesi i mishit të importuar është pjesë e një rrjeti të strukturuar, një mini-mafie ushqimore me mbështetje politike, që vepron me etiketa të rreme, certifikata të falsifikuara dhe asnjë kontroll real.
Dhe ndërsa EFSA paralajmëron për rrezik serioz të përhapjes së sëmundjeve zoonotike, Shqipëria vazhdon të bëjë eksperiment mbi qytetarët e saj; mbi fëmijët në kopshte, pacientët në spitale, të moshuarit në qendra sociale, dhe gjithë popullatën që konsumon mish të lirë, të dyshimtë, të importuar.
Sot, jo vetëm që jemi jashtë BE-së, por jemi edhe jashtë standardeve më minimale të mbrojtjes së shëndetit publik. Jemi vendi i vetëm në rajon që jo vetëm nuk i ndalon produktet e rrezikshme, por i përdor në tenderë shtetërorë.
Kushdo që e lejon këtë është drejtpërdrejt përgjegjës për helmimin kolektiv të një shoqërie të tërë./Pamfleti
Lini një Përgjigje