
Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, pritet të deklarohet fajtor të premten për akuzat se ka fshehur 225,000 dollarë pagesa në cash nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, i cili u bë burim në një hetim të FBI-së, tregojnë të dhënat e gjykatës, raporton reuters.
Ankth në qeverinë shqiptare. Ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal, ka pranuar se ka marrë para nga njerëz pranë kryeministrit Rama dhe sot ai pritet të shpallet fajtor.
Ai do të paraqitet sot në gjykatë rreth orës 14.00 me orën lokale dhe pritet të deklarohet fajtor për paratë që ka marrë nga ish-agjenti i shërbimit shqiptar. Bëhet fjalë për 225 mijë dollarë.
Dyshimet janë se ato para kanë dalë nga qeveria shqiptare dhe nëse McGonigal flet, rrezikohet Kryeministri Rama dhe ata që i shkojnë pas. Sipas Reuters, ai rrezikon deri në 20 vite burg.
Më herët, Charles McGonigal, tha para një gjykate federale në qytetin e Nju Jorkut se ishte “thellësisht i penduar” për punën që bëri në vitin 2021 për industrialistin miliarder rus Oleg Deripaska.
Zoti McGonigal tha në gjykatë se mori mbi 17,000 dollarë nga Deripaska për ta ndihmuar atë që të mblidhte informacione negative për një tjetër oligark rus, i cili ishte konkurrent biznesi. Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj oligarkut Deripaska, që nga viti 2018, për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia.
Ish-agjenti McGonigal po përpiqej gjithashtu ta ndihmonte Deripaskën që të hiqej nga lista e sanksioneve, tha Ndihmësprokurorja federale Rebecca Dell dhe po ashtu kishte hyrë në negociata, së bashku me disa bashkëpunëtorë, për një shpërblim prej 650,000 deri në 3 milionë dollarë, në shkëmbim të kërkimit për dokumente elektronike, që mund të zbulonin rreth 500 milionë dollarë në pasuri, të fshehura nga rivali i tij në biznes.
Zoti McGonigal pranoi fajin për një akuzë të vetme dhe mund të përballet me pesë vite burg. Dënimi i tij do të shpallet në një seancë gjyqësore më 14 dhjetor.
Ish-agjenti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington, për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se i ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar, ndërsa punonte ende për FBI-në.
Charles McGonigal ishte agjent special në divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në vitin 2018. Ai mbikëqyrte hetimet e oligarkëve rusë, përfshirë Deripaska-n.
Gjykata e Uashingtonit i ka konfirmuar sanksionet kundër oligarkut Deripaska, duke nënvizuar provat se ai kishte vepruar si agjent i presidentit rus Vladimir Putin.
Zoti McGonigal tha se pagesa e Deripaskës për të, prej 17,500 dollarësh u krye nga një bankë në Qipro. Paratë u transferuan tek një kompani në Nju Xhersi, përpara se të depozitoheshin në llogarinë e tij bankare. Firma në Nju Xhersi, sipas aktpadive, i takonte shqiptaro-amerikanit, që i kishte dhënë ish-agjentit McGonigal, 225,000 dollarët, pjesë e aktapadisë tjetër ndaj tij në Uashington.
Lini një Përgjigje