
Me ikjen e Hajnajt, drejtimin e BKH-së do ta marrë nënkryetari, Joni Keta, i cili është njëkohësisht në garë për postin e drejtorit...
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur me 6 vota pro dhe 4 kundër për lirimin nga detyra të drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.
Kjo e fundit u emërua 5 vite më parë, më 31 gusht, dhe më 1 shtator do të duhej t’i dorëzonte detyrën kreut të ri, por ky i fundit ende nuk është zgjedhur. Me ikjen e Hajnajt, drejtimin e BKH-së do ta marrë nënkryetari, Joni Keta, i cili është njëkohësisht në garë për postin e drejtorit.
Keta po garon me 6 të tjerë, të cilët kanë kaluar të gjitha testet e kërkuara, ndërsa janë në pritje të përfundimit të procesit të verifikimit të pasurisë dhe figurës.
Për postin e drejtorit të ri të BKH-së, në total u shqyrtuan aplikimet dhe dokumentacioni i 13 kandidatëve, ndërsa vetëm 7 prej tyre kaluan në fazën tjetër të konkurimit. Pas verifikimit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kritereve ligjore, kandidatët që vijojnë garën janë:
-Andi Pogaçe
-Artur Beu
-Elton Kërluku
-Gentian Ndoi
-Gentjan Shehaj
-Gledis Nano
-Joni Keta
Të 7 kandidatët e mbetur do të pikëzohen nga komisioni, që përbëhet nga tre prokurorë dhe më pas emri do t’i kalojë KLP për votim.
Lini një Përgjigje