TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Gusht 2025, 19:09

Lufta për kreun e BKH drejt një faze të re, KLP liron nesër nga detyra Aida Hajnajn

Shkruar nga Pamfleti
Lufta për kreun e BKH drejt një faze të re, KLP liron nesër
Hajnaj Dumani

Altin Dumani vs. Aida Hajnaj: KLP vendos nesër për kreun e BKH...

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet nesër për të vendosur lirimin nga detyra të drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Kjo e fundit u emërua 5 vite më parë, më 31 gusht, dhe më 1 shtator do të duhej t’i dorëzonte detyrën kreut të ri. Mirëpo, për shkak të artificave, kulisave dhe luftës në prapaskenë, nuk ka ende një drejtues të ri të BKH-së. Pikërisht kjo pjesë pritet të shkaktojë konfliktin e radhës, pasi ka përplasje nëse Hajnaj duhet të rrijë apo jo në detyrë derisa të zgjidhet pasuesi.

Lufta për kreun e BKH drejt një faze të re, KLP liron nesër
Axhenda e KLP nesër

Historikisht, por edhe ligjërisht, për sa kohë nuk ka një pasues, gjithmonë personat pa mandat qëndrojnë në detyrë derisa të gjendet zëvendësuesi, me qëllim që të mos krijohen boshllëqe. Rasti më i freskët është ai i Avokates së Popullit, e cila qëndron në detyrë pa mandat prej 3 vitesh. Po ashtu kemi precedentë të tjerë në Gjykatën Kushtetuese, ku disa gjyqtarë kanë qëndruar shumë vite pa mandat.

Mirëpo, sikundër ka raportuar “Pamfleti”, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka kërkuar që Hajnaj nga nesër të mos futet më në zyrë. Sipas tij, detyrën duhet ta marrë nënkryetari, Joni Keta, i cili është njëkohësisht në garë për postin e drejtorit, dhe kjo e komplikon edhe më shumë situatën.

Një kërkesë e tillë ka ngritur shumë dyshime mbi atë që po luhet, pasi frika është se pas largimit të Hajnajt, nuk dihet se kur do të zgjidhet kreu i ri i BKH-së. Nën rrogoz flitet se ka përplasje të forta mes 3 anëtarëve të komisionit për pasuesin, dhe kjo solli shkarkimin e Arben Krajës si drejtues të Marrëdhënieve me Jashtë. Po ashtu, akoma nuk ka nisur procesi i verifikimit të figurës dhe pasurisë, proces që do të marrë shumë kohë. Ndërkohë, në dhjetor edhe Altin Dumani do të duhet vetë të dorëzojë detyrën.

Kreu i SPAK dhe nënkryetari i BKH kanë raporte të mira mes tyre dhe, si duket, këto muaj Dumani nuk do pengesë nëpër këmbë, pasi deri më tani Hajnaj nuk e ka lejuar të bëjë ç’të dojë.

Topi tani është në fushën e KLP-së. Nesër, qeveria e sektorit penal duhet të ndajë shapin nga sheqeri, duke përcaktuar nëse Hajnaj duhet të largohet përfundimisht, apo të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit. Nëse KLP nuk vendos, do kemi një përplasje të re mes Hajnajt dhe Dumanit /Pamfleti

Lini një Përgjigje