Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur të tjera detaje në lidhje me operacionin “Flakë në det” ku u arrestua shefi i komisariatit të Laçit dhe u shpall në kërkim Gëzim Çela, baron i drogës në Fushë Kuqe të Kurbinit, i cili ndodhet në arrati që prej vitit 2014 për një tjetër rast droge.
Lala tregoi edhe skemën se si bëhej ky trafik.
Sipas gazetares, Arlind Ismailukaj, një ish-punonjës policie i cili është arrestuar para disa muajs gjatë fazës së parë të këtij operacioni, kishte një biznes për dhënien e automjeteve me qira.
Këto makina përdoreshin për të transportuar hashashin dhe magazinoheshin në kompleksin e Gëzim Çelës në Patok.
Lënda narkotike do të shkëmbehej më pas në det me kokainë.
“Arlind Ismailukaj ka një pikë për dhënien me qira të automjeteve, këto automjete ja jepte me qira Arben Dalipajt nga Vlora. Ai me grupin e tij i ngarkonte automjetet me hashash dhe i magazinonte në kompleksin e Gëzim Çelës në Patok.
Kur krijoheshin kushtet, Gëzim Çela organizonte përmes varkave të vogla dhe kjo gjë ndodhte ditën, dhe dukeshin si varka peshkimi.
Ndërkohë që velierat e drejtuara nga shtetas ukrainas futeshin nga Kepi i Rodonit dhe prisnin në det të hapur në territor shqiptar.
Nga Shqipëria dërgohej hashashi dhe nga veliera merrej kokaina. Bëhej shkëmbim droge në det.
Ismailukaj shkonte atje tek baza në Patok ku ishte lokali dhe merrte automjetin e tij me qira, në njëfarë mënyre zhdukte provat. Natën që është ndaluar janë gjetur rreth 10 mijë Euro në kroskotin e makinës”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Gazetarja Klodiana Lala shtoi se tha se Gëzim Çelën e mbron komuniteti i zonës së Fushë Kuqes.
“E di kush Gëzim Çela? Një njeri i cili, vetë banorët e Fushë Kuqes, po të hyjë policia për ta kërkuar sot, janë banorët në sulm për ta mbrojtur. Një njeri i cili pra janë njerëzit ata të cilët e lajmërojnë. Për të hyrë në Fushë Kuqe, unë kam hyrë në vitin 2014 kur u bllokua banesa e tij që ishte shndërruar në laborator për përpunimin e heroinës. Më kanë ndaluar me makinën e televizionit, disa banorë të cilët ishin të interesuar të dinin se ku po shkonim.
Dhe Gëzim Çela është njeri i cili ka super pushtet, ka pushtet financiar, ka ndikim në zonë. Është njeri i cili është marrë me çështjet e trafikut të drogës shumë herët, që në ’97. U largua nga forcat speciale RENEA dhe filloi që në ’97 aktivitetin. U dënua në Itali, u arrestua në Shqipëri, tha kam një problem të vogël më gjurin, drejtësia jonë e liroi me një akt të falsifikuar që i rrezikohej jeta se i dhimbte gjuri. Na dhemb gjuri gjithë ditën, po nuk e liron askënd drejtësia shqiptare, e liroi në gjendje të lirë. U arrestua sërish teksa kthehej nga Turqia. U lirua prapë. U shpall në kërkim për laboratorin e heroinës”, tha ndër të tjera gazetarja Klodiana Lala.
Lini një Përgjigje