
Gazetari Eni Ferhati ka folur rreth protestës së ditës së djeshme të mbajtur nga opozita.
Ferhati i cili e ndoqi protestën nga terreni tha në Euronews Albania, se policia kishte marrë informacione se do tentohej të digjej bashkia, ndaj edhe masat më të shumta të marra nga policia ishin pikërisht në atë zonë, ndërkohë që në Selinë e Partisë Socialiste, masat e marra ishin minimale.
Sipas Ferhatit policia ka pasur fat ditën e djeshme pasi ka arritur të kap në kohë, tre çanta me Molotov të pashpërthyer.
“Policia ka pasur edhe një fat shumë të madh. Kur protestuesit u zhvendosën drejt bashkisë së Tiranës, gjatë konfrotimit fizik mes policisë dhe protestuesve, janë gjetur, pas i ranë në tokë, dy çanta me 17 molotov të paplasura. Ato u sekuestruan menjëherë nga policia. Frika më e madhe dhe forcat më të mëdha të policisë ishin te Bashkia e Tiranës, se kishte informacione edhe nga shërbimi informative, që turma do synonte të digjte Bashkinë e Tiranës. Nuk kishte asnjë informacion për djegien e Selisë së Partisë Socialiste. Te selia kishte masa minimale të policisë, sepse nuk mendohej se do kishte protestë atje. Përveç dy çantave me 17 bomba molotov është gjetur edhe një çantë tjetër me 8 molotov të paplasur, diku mes zonës së Ministrisë së Brendshme dhe Parlamentit”, tha ai.
Ferhati u ndal gjithashtu te gabimet që ka bërë policia në këtë protestë.
“Vura re dy gabime të policisë. Gabimi i parë ishte kur policia nuk mori masa për të shmangur një ballafaqim të protestuesve me qytetarët, këtu i referohem momentit ku turma pasi u vendos te kryeministria marshoi në drejtim të unazës dhe u fut te rruga që të çon drejt partisë socialiste apo kryqëzimit të Myslym Shyrit dhe Gjykatës së Lartë. Ai ishte një moment ku kishte frikë edhe nga policia edhe nga protestuesit, pasi mund të kishte konflikt mes qytetarëve që mbetën në trafik dhe protestuesve. Ky është një gabim i policisë, që unë dyshoj se ka qenë i qëllimshëm, sepse informacioni ishte që protesta do ishte e lëvizshme. Momenti i dytë është përdorimi i pakriter, i paarsyeshëm i palogjikshëm i gazit lotsjellës. Aty nuk pati asnjë veprim të dhunshëm, sapo iu afruan protestuesit u lëshua disa herë gaz lotsjellës. Aty kishte qarkullim automjetesh. Një Fëmijë pati problem serioze nga ky gaz”, tha gazetari.
Lini një Përgjigje