TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Qershor 2024, 12:02

“Kërkojmë falje”/ Denigronin drejtuesit e policisë, gjykata jep vendimin për gazetarin dhe punonjësen e AMP

Shkruar nga Pamfleti

“Kërkojmë falje”/ Denigronin drejtuesit e policisë,

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për gazetarin Ervis Hasanaga dhe ish-punonjësen e AMP, Regina Omeri, të cilën janë në akuzë për falsifikim kompjuterik.

Ata u arrestuan pasi në bashkëpunim me punonjësin tjetër të AMP, Kushtrim Selimi, i cili është ende në kërkim, dyshohet se publikonin shkrime me përmbajtje jo të vërtetë për drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Arrestimi i tyre u cilësua i ligjshëm nga ana e gjykatës, ndërsa mbrojta paralajmëroi ankim të vendimit në Apel.

Gjatë seancës, dy të arrestuarit kanë shfaqur pendesë në gjykatë dhe kanë kërkuar falje.

Kushtrim Selimi dhe Regina Omeri ndërkohë janë përjashtuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas operacionit të policisë.

Vendimi u mor sapo u publikua njoftimi i policisë se Omeri u arrestua për mashtrim kompjuterik ndërsa Selimi u shpall në kërkim.

Kushtrim Selimi mbante pozicionin e shefit të sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së ndërsa Omeri ishte punonjëse e agjencisë në Drejtorinë Rajonale të Durrësit.

Këta tre persona, sipas Sektorit të Krimeve Kibernetike, kishin krijuar një portal ku publikonin informacione të rreme.

Portali në të cilin publikoheshin këto informacione ishte i paregjistruar në ndonjë organ shtetëror apo në qendrën kombëtare të biznesit dhe nuk figuronte në pronësi të ndonjë individi.

Qëllimi, sipas policisë, ishte denigrimi, duke publikuar materiale për gjobëvënie. Vetë gazetari pranoi se paguhej për të publikuar këto shkrime që i vinin të gatshme dhe se ai nuk i kishte verifikuar për vërtetësinë.

regina omeri kushtrim selimi

Lini një Përgjigje