TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Korrik 2025, 10:25

KAS kërkesë Celibashit: Kishte mospërputhje të votave në tabelat e rezultateve në 4 qarqe, të hetohen numëruesit

Shkruar nga Pamfleti

KAS kërkesë Celibashit: Kishte mospërputhje të votave

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i ka kërkuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të nisë procedurat për kallëzim penal në prokurori ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit të partive politike në qarqet ku u krye rinumërimi i votave.

Sipas KAS, gjatë këtij procesi janë konstatuar mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultateve të miratuara nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe gjendjes reale të fletëve të votimit.

KAS thekson se këto mospërputhje, në disa raste, tregojnë tjetërsim të rezultatit të votave nga anëtarët e grupeve të numërimit. Për këtë arsye, kërkohet një hetim administrativ për të dalluar nëse bëhet fjalë për shkelje administrative apo për vepra penale që duhen ndjekur nga organet e drejtësisë.

“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave te rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve te votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces te mëtejshëm administrativ nga ana Juaj për te identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Hetimi i mëtejshëm administrativ për rastet e sipërcituara është i një rëndësie të veçantë, sepse referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që, në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet e rezultateve të miratuara nga GNV-të, me ato që rezultojnë në fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave”, thuhet në kërkesën e KAS.

Në kërkesën drejtuar Celibashit, KAS citon detyrimin e Komisionerit për të mbikëqyrur veprimtarinë e administratës zgjedhore dhe thekson rëndësinë e hetimit për integritetin e procesit zgjedhor.

“Ky hetim administrative ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrenë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim", thuhet më tej në njoftimin e KAS.

Kërkesa e plotë:

Në datën 11.05.2025, në Republikën e Shqipërisë u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin. Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave sipas neneve 116 e vijues të K.Zgjedhor, KZAZ-të përkatëse plotësuan dhe miratuan tabelat përmbledhëse të rezultateve për subjektet zgjedhore dhe për kandidatët për deputetë të zonave përkatëse. Kjo procedurë dhe përgjegjësia e anëtarëve të GNV-ve përcaktohet në nenin 119 të K.Zgjedhor i cili ndër të tjera parashikon se:

"1. Në përfundim të procedurës së përcaktuar në nenin 118 të 8 të këtij Kodi, numëruesi i parë, së bashku me anëtarët e tjerë të Grupit të Numërimit, plotëson tabelën e rezultateve për atë qendër votimi, votimi, sipas sipas forn formularit tip të përcaktuar nga KQZ-ja.

2. Tabela origjinale e rezultateve të votimit, sipas pikës 1 të këtij neni, duke përfshirë edhe kundërshtimet, nëse ka, të anëtarit të Grupit të Numërimit, i dorëzohet menjëherë dorazi KZAZ-së nga Grupi i Numërimit. Kopje e tabelës së rezultateve i jepet çdo anëtari të Grupit të Numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Nëse ndonjë nga vëzhguesit e subjekteve zgjedhore ka kundërshtime në lidhje me rezultatet e pasqyruara në tabelë, ato shënohen menjëherë në librin e protokollit të KZAZ-së.

Një kopje dërgohet menjëherë në rrugë elektronike në KQZ. KQZ-ja i publikon në faqen e internetit menjëherë rezultatet zyrtare për çdo qendër votimi sapo i merr ato zyrtarisht nga KZAZ-ja. Publikimi duhet të saktësojë se rezultati është paraprak".

Nga dispozita e sipërcituar duket qartë që përgjegjësia për plotësimin e tabelës së rezultateve për çdo qendër votimi, si për subjektet zgjedhore ashtu edhe për kandidatët që i nënshtrohen votimit parapëlqyes, është e anëtarëve të Grupit të Numërimit.

Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave për subjektet zgjedhore dhe kandidatëve që ju nënshtruan votimit parapëlqyes, me vendimet respektive, në zbatim të nenit 123 të K.Zgjedhor, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e Zonave Zgjedhore Qarku Dibër, Durrës, Fier dhe Tiranë, vendosët miratimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit për këto zona zgjedhore, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025. Kundër këtyre vendimeve, u paraqitën ankime në KQZ nga subjektet zgjedhore konkurruese në zgjedhjet e datës 11 maj 2025.

Referuar kërkesave procedurale të subjekteve zgjedhore ankimuese, dy anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, kërkuan nëpërmjet këqyrjes së kutive të votimit për Zonat Zgjedhore Qarku Durrës, Fier dhe Tiranë, rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit si për subjektet zgjedhore ashtu edhe për kandidatët e listave shumemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Në rastin e Zonës Zgjedhore Qarku Durrës, kërkesa për rinumërim/rivlerësim ishte për një pjesë të qendrave të votimit dhe jo për tërë zonën zgjedhore. Ndërkohë sa i përket Zonës Zgjedhore Qarku Dibër, rinumërimi dhe rivlerësimi i fletëve të votimit vetëm për kandidatët e listës shumemërore të subjektit zgjedhor koalicioni "Partia Demokratike - Shqipëria Madhështore", për një pjesë të qendrave të votimit, u vendos me vendim të KAS.

Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave, që u krye nga administrata e KQZ-së (24 grupe numërimi) në kuadër të procesit të kërkuar nga dy anëtarë të KAS-it apo me vendim të KAS-it (për rastin e Zonës Zgjedhore Qarku Dibër) u konkludua me tabela të reja rezultati për këto zona zgjedhore, si për subjektet, ashtu dhe për kandidatët që iu nënshtruan votimit parapëlqyes, përveçse për Zonën Zgjedhore Qarku Dibër që ndryshimet në tabelë u pasqyruan vetëm për kandidatët që ju nënshtruan votimit parapëlqyes për subjektin zgjedhor koalicioni "Partia Demokratike - Shqipëria Madhështore". Këto tabela u miratuan nga KAS-i me vendimet përkatëse, vendime këto që tashmë janë lënë në fuqi edhe nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor.

Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve te votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces të mëtejshëm administrativ nga ana Juaj për të identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave, pasi në zbatim të nenit 19 pika 1 shkronja "b" është Komisioneri ai që drejton dhe mbikëqyr, drejtpërdrejt ose nëpërmjet administratës së KQZ-së, veprimtarinë e administratës zgjedhore përgjatë zgjedhjeve dhe referendumeve.

Hetimi i mëtejshëm administrativ për rastet e sipërcituara është i një rëndësie të veçantë sepse referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që, në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet e rezultateve të miratuara nga GNV-të, me ato që rezultojnë në fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave. 

Ky hetim administrative ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrenë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim.

Lini një Përgjigje