Avokati Romeo Kara ka komentuar çështjen gjyqësore ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të cilët përballen me akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Sipas avokatit Kara, nëse provat që janë mbledhur gjatë hetimit për Ilir Metën rezultojnë të sakta dhe të pakontestueshme në procesin gjyqësor, dënimi i tij mund të jetë i rëndë dhe të arrijë deri në 10-15 vite burg.
Për sa i përket zonjës Kryemadhi, ai u shpreh më i rezervuar: “nuk mund të them diçka të qartë”.
Duke folur për dinamikën dhe afatet e mundshme të procesit, Kara tha se në kushte normale, nëse kjo çështje nuk do të kishte një rëndësi kaq të madhe për opinionin publik dhe për ngarkesën simbolike që mbart, gjyqi mund të përfundonte edhe brenda një muaji. Megjithatë, duke pasur parasysh profilin e lartë të të pandehurve dhe ndjeshmërinë e lartë publike, ai parashikon që procesi në Gjykatën e Shkallës së Parë mund të zgjasë deri në një vit e gjysmë.
“Po të ishte një gjyq jo kaq i rëndësishëm nga ana e opinionit mund të shkonte edhe një muaj. Por mund të zgjasë edhe më tepër. Kjo seancë nuk besoj se do t’i kalojë më tepër se gjashtë muaj. Maksimumi them. Shkalla e parë mendohet që duhet të mbyllet edhe brenda 1 viti e gjysmë. Hetimi ka qenë shumë i rëndësishëm, tani jemi përballë vijueshmërisë provave. Le të shpresojmë të jetë një proces i drejtë gjyqësor.”, tha Kara në një intervistë për emisionin “Edicioni i Fundit”.
Avokati theksoi gjithashtu se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme të viteve të fundit për drejtësinë shqiptare, pasi për herë të parë një figurë me një karrierë të gjatë politike dhe pozita të larta shtetërore përballet me akuza të tilla serioze para sistemit të drejtësisë. Ai nënvizoi nevojën për një proces të paanshëm, ku vendimet të bazohen vetëm mbi ligjin dhe faktet.
Lini një Përgjigje