Me mbërritjen e pajisjeve hidraulike nga Turqia, pas mesnate, drejtoria e Ujësjellësit të qytetit bregdetar realizoi montimin e tubit kryesor.
Prej orës 04:00 të mëngjesit ka nisur mbushja e depove me ujë.
Megjithatë, furnizimi nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar po i nënshtrohet fazës së testimit për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit.
Drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, ka bërë të ditur se avaria është drejt fundit dhe qyteti pritet t’i rikthehet normalitetit brenda orëve të pasdites.
Sipas tij, pajisja e dëmtuar është tashmë në rregull, situata po monitorohet dhe një pjesë e qytetit aktualisht po furnizohet me ujë, ndërsa depot janë duke u mbushur.
"Pajisja e vendosur tashmë është në rregull. Është monitoruar situata dhe jemi ok. Po furnizohet një pjesë e qytetit, ndërsa depot janë duke marrë ujë, teksa në orët e pasdites i gjithë qyteti kthehet në normalitet. Ishte një dëmtim shumë i rëndë, por tashmë mund të themi që jemi në fund të avarisë, fatmirësisht. Pati një angazhim maksimal nga të gjithë, AKUK, bashkia dhe qeveria shqiptare. Ndjesë qytetarëve për problematikën. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë.", tha ai.
Lini një Përgjigje