Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, i cili kandidon për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, deklaroi gjatë Kuvendit të PD-së se angazhimi i tij me këtë forcë politike daton që nga fëmijëria.
Ai u shpreh se synimi i tij kryesor është të përfaqësojë të rinjtë dhe të adresojë problemet me të cilat ata përballen.
I pyetur nëse kandidimi për Këshillin Kombëtar është një hap drejt një gare për deputet në të ardhmen, Stresi tha se nuk ka hyrë në politikë për përfitime personale apo për të siguruar një post.
“Për herë të parë po e them ekskluzivisht tek ju që kam që në klasë të katërt fillore dhe deri tani që ndjek Partinë Demokratike. Vij nga një familje që nuk shesim idealet tona, jemi të qëndrueshëm, të vendosur dhe çfarëdo që ndodhë unë prapë do jem mbështetje të Partisë Demokratike nga fillimi dhe deri në fund. Nuk kam ardhur për një katapultë në politikë. Këtë përgjegjësi e kam marrë vetë, të jem afër të rinjve. Unë vij nga rruga, nga jeta reale, nga muzika dhe më së shumti e di unë se çfarë do rinia. Kam një objektiv timin, të cilin do ta realizoj edhe jam këtu sot, kandidoj për Këshillin Kombëtar, për anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe shpresoj të gjithëve. Unë do merrem me të gjithë e rinjtë demokratë nga Tropoja deri në Sarandë”, tha ai një intervistë për A2 CNN.
Lushaj theksoi se aktiviteti politik nuk bie ndesh me angazhimin e tij në art, ndërsa shtoi se do të vazhdojë të jetë pranë të rinjve në terren. Sipas tij, ata kanë nevojë për më shumë përfaqësim dhe dëgjim.
“Politika ka qenë hobi im. Po rikthehemi më fuqishëm. Do jemi në terren për të gjitha hallet që të rinjtë janë të papërfaqësuar aktualisht edhe jam gati të bisedoj me ta, të jem me ta për çdo padrejtësi edhe po e them këtu që do jemi shumë më të fuqishëm kësaj radhe. Me doemos që do vijë ajo ditë. Shpresojmë të vijë sa më shpejt. Po punojmë fort, dash Zoti. Shqiptarët ndërgjegjësohen edhe do fitojnë patjetër”.
Duke folur për Kuvendin e Partisë Demokratike, ai vlerësoi procesin e ripërtëritjes brenda partisë dhe tha se të rinjtë janë të gatshëm të marrin më shumë përgjegjësi.
“Mendoj që kemi pasur nevojë për këtë ripërtëritje. Patjetër që është slogan i gjetur. Mendoj do ketë ndryshime. Rinia është gati të zëjë vendet. Ata që meritojnë, ata që kanë kontribuar për Partinë Demokratike, ata që janë vlerësuar nga Partia Demokratike, janë të gjithë sot këtu".
Në fund, Stresi bëri thirrje për bashkim të demokratëve, duke theksuar se politika duhet të zhvillohet jo vetëm në institucione, por edhe pranë qytetarëve.
“Ka dy lloj politikanësh mendoj unë. Janë ata në zyrë, janë ata në terren, janë ata që janë shumë afër popullit dhe unë mendoj që do jem në terren afër popullit siç e thashë dhe i bëj thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë kudo që janë anë e mbanë Shqipërisë, diasporës, të kthehen tek foleja e tyre, tek Partia Demokratike. Jemi një familje gjithmonë në familje ka mos pajtime po kjo është familja. I ftoj të gjithë edhe ata që kanë ikur nga Partia Demokratike, të rinjtë të kthehen tek foleja, sepse jemi gati dhe do kthehemi shumë fuqishëm”.
Lini një Përgjigje