Pas kontrollit, rezultoi se në kovë ndodheshin fasule, duke eliminuar çdo dyshim për rrezik.
Një kovë plastike e lënë në mes të rrugës, pranë ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ka alarmuar Policinë e Shtetit.
Fillimisht u mendua për një bombë, gjë që ka vënë në lëvizje edhe forcat xheniere, që pas disa minutash, kanë dalë në konkluzionin që alarmi ishte i rremë. Nga raportimet mësohet se brenda kovës plastike kishte fasule, ndërsa nuk dihet se si ‘objekti’ që alarmoi policinë, e cila u vu në lëvizje nga rojet e sigurisë së Ambasadës, kishte përfunduar në mes të rrugës.
Nga raportimet mësohet se në kuadrin e masave të shtuara të sigurisë, veçanërisht pasi vetë Ambasada e SHBA-së, në njoftime të ndryshme publike, ka njoftuar rrezikun, Policia e Shtetit angazhoi edhe qentë anti-eksploziv, një operacion që duket më shumë se ka testuar edhe aftësitë e strukturave të posaçme, përballë rreziqeve të kërcënimeve me akte terroriste.
Në përfundim të verifikimeve ka rezultuar se kova plastike nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri, ndërsa pritet që një verifikim i kamerave të sigurisë të zbardhë se si “objekti” ka përfunduar në rrugën e Elbasanit, pranë selisë diplomatike më të rëndësishme që ndodhet në Shqipëri.
Kjo nuk është hera e parë që policia alarmohet nga situata të tilla, që fatmirësisht kanë rezultuar false. Pak ditë më parë një alarm i ngjashëm u dha për eksploziv në një qendër tregtare në mes të Tiranës, por pas verifikimeve gjithçka rrezultoi e rreme.
Në kuadrin e ndihmës së SHBA-së ndaj Shqipërisë, Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi në prill të 2026-ës, se Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit do të pajiset me dronët më të fundit të prodhimit amerikan, që jo vetëm do luftojnë elementët kriminalë, por do mbrojnë kufijtë dhe do gjurmojnë kontigjentët e dhunshëm.
Kjo nismë vjen pas njoftimit të mëparshëm se në Shqipëri ekziston rreziku nga kërcënimi prej Iranit pas konfliktit në Lindjen e Mesme. Qeveria shqiptarë e cilësoi “hamendësim” këtë paralajmërim, duke marrë kritika të forta nga i gjithë opinioni në vend dhe faktori politik.
Sipas ambasadës, këta dronë janë të pajisur me teknologji të avancuar të imazheve termike, duke mundësuar monitorim të vazhdueshëm si gjatë ditës ashtu edhe natës.
“Njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po pajiset me dronët më të fundit të prodhimit amerikan. Me teknologjinë e imazheve termike, këta dronë mund të rrisin aftësinë e Policisë së Shtetit në monitorimin e situatave ditë e natë për të mbrojtur kufijtë dhe për të gjurmuar elementët e dhunshëm”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA në Tiranë, në rrjetin social Facebook.
Në njoftimin e dhënë shpjegohet se Policia e Shtetit do pajiset me teknologjinë më të mirë të dronëve, që do rrisin cilësinë e ndjekjes dhe gjurmimit, si dhe efikasitetin. Gjithashtu ambasada njofton se po bëhet edhe trajnimi i domosdoshëm i efektivëve shqiptarë për përdorimin e këtyre pajisjeve.
Ky investim synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet operacionale të Policisë së Shtetit, veçanërisht në kontrollin e territorit dhe forcimin e sigurisë. Ambasada amerikane thekson se mbështetja ndaj institucioneve shqiptare në fushën e sigurisë mbetet një prioritet, duke synuar rritjen e standardeve dhe eficiencës në luftën kundër kërcënimeve të ndryshme.
Lini një Përgjigje