
Analisti Andi Bushati deklaroi se rëndësia e Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet të hënën në Tiranë, është më tepër simbolik, sesa përmbajtësor.
Në një intervistë për ‘MCN Tv’, ai shpjegoi më tej se ka pasur një trysni ndaj Ramës që të hiqte dorë nga "Ballkani i Hapur" që të mund të merrte 'kurorën simbolike' nga BE-ja.
“Rëndësia është më tepër simbolike, nuk është te përmbajtja, por tek ana e jashtme. Fakti që një mbledhje e Procesit të Berlinit zhvillohet jashtë vendeve të BE-së dhe zhvendoset në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor është një rëndësi simbolike që ne do të dëgjojmë të trumbetohet nga propaganda qeveritare pafund gjatë këtyre ditëve. Rëndësia thelbësore e kësaj që po bëhet në Tiranë është që zhvendosja e Samitit të Berlinit drejt Tiranës përkoi me tërheqjen e kryeministrit tonë nga Ballkani i Hapur. Si duket kemi pasur një lloj trysnie apo presioni që nëse do këtë ‘kurorë simbolike’ mbi supet e tua duhet të heqësh dorë nga aventura e përbashkët me presidentin Vuçiç. Pak kohë pasi Shqipëria u shpall që do ishte mikpritëse e këtij Samiti, Rama doli nga Mali i Zi tha se Ballkani i Hapur e ka përfunduar misionin e tij. Të dyja nismat kanë ecur paralelisht. Por Gjermania ka qenë e interesuar të triumfonte Samiti i Berlinit. Për ata që mendojnë që Ballkani i Hapur ishte aventurë e keqe kjo e të hënës do të jetë një nismë e mirë”, tha ai.
Më tej Bushati tha se sulmi në Banjskë ka prishur planet e Perëndimit për të mbështetur Vuçiçin dhe Serbinë në dialog, megjithëse shtoi se nuk duhet të ketë shpresa për sanksione ndaj Serbisë.
“Vendet e BE-së janë akoma të traumatizuara nga ajo që ndodhi në Banjskë dhe nga sulmi terrorist atje dhe po ta shohësh nëse ne kishim një zhvendosje të aksit perëndimor për të mbështetur Vuçiçin dhe Serbinë në dialog në raport me Kosovën, Berlini, Parisi, qoftë dhe Uashingtoni që s’do jetë të hënë që donin të favorizonin Serbinë, Banjska i ka kapur pak gafil dhe po lëkunden a duhet sanksionuar Serbia? Çfarë qëndrimi duhet mbajtur këtej e tutje? Kjo mëdyshje, apo përcaktimi i politikave do reflektohet dhe të hënën. Nuk duhet të shpresojmë atë që shpresojnë në Prishtinë që mund të kemi fillimin e rrugës për sanksione ndaj Serbisë”, tha Bushati.
Lini një Përgjigje