
Adem Metkola, të cilit ju sekuestruan pronat nga Prokuroria e Tiranës, ka kandiduar për anëtar të Këshillit Bashkiak në Kamëz. Ai ka qenë kandidat nga Partia Republikane e Fatmir Mediut.
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar disa prona, llogari bankare dhe 7 makina të Metkolës, nën dyshimet për pastrim parash.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare e 7 makina të shtetasit A.M., nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në kuadër të procedimit penal nr.3298, të datës 23.05.2023”, njofton prokuroria.

Më tej sqarohet se nga informacioni i marrë dhe verifikimet e kryera, ka rezultuar se në llogaritë e Metkolës dhe A.Xh., në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme. Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje.
Lini një Përgjigje