
Gazetari Klodian Tomorri thotë se SPAK po mban një qasje “tërhiq e mos e këput” në rastin e inceneratorit të Tiranës. Në studion e MCN Economy, ai theksoi se organi i akuzës po bën njëfarë menaxhimi të kësaj dosjeje, ndërkohë që faktet flasin për një skemë të mirëfilltë mashtrimi, ku janë përfshirë funksionarë të lartë të shtetit.
“Pothuajse e gjithë dosja ishte dosja e korrikut. Nuk kishte në të asnjë fakt apo hetim të ri. Dilema e madhe është pse këto masa u dhanë tani, kur mund të ishin dhënë që në korrik kur u sekuestrua inceneratori i Tiranës. Duket sikur ka një menaxhim të kësaj dosjeje nga ana e prokurorisë, që ndoshta shkon përtej funksionit për të bërë drejtësi. Duket sikur SPAK po luan me atë strategjinë “tërhiq e mos e këput”.
Tarifa 29 euro për ton që paguhet sot parashikonte depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve. Ne sot nuk kemi djegie të mbetjeve sepse nuk ka incenerator. Pra mund të konsiderohen si para që janë vjedhur, kanë lëvizur jashtë shtetit me çanta. Është një skemë e ngritur mbi mashtrimin me përfshirjen e shumë funksionarëve të shtetit.
Ajo që ne dimë është se këtu kemi të përfshirë njerëz nga disa ministri, nga disa institucione të shtetit. Këta koordinohen vetëm nga shumë lart, por SPAK kësaj pyetjeje nuk i jep përgjigje. Një hetim ka detyrimin t’i shkojë deri në fund zbardhjes së një afere. Kjo është një aferë dhe ajo që duhet të dimë është kush janë përfituesit. Për qytetarët është më e rëndësishmja të rikuperohen paratë.
Nuk dihet si është përcaktuar tarifa 29 euro. Nuk është parë interesi publik. Ka dëshmi që Mirel Mërtiri i ndryshonte dhe i rriste shifrat sipas interesit të vet. E gjitha kjo tregon që kjo është një direktivë që do të vijë në komision dhe do të votoni çfarëdo të vijë. Pra kuptojmë se rrjeta që mbron interesin publik nuk funksionon”, tha ai.
Lini një Përgjigje