Të akuzuarit për inceneratorin e Fierit do të dëgjojnë sot pretencën e Prokurorisë së Posacme SPAK. Për inceneratorin e Fierit nuk është hapur ende seanca e parë në themel, për shkak të numrit të lartë të të akuzuarve prej 30 personash dhe kompanish, të cilët përmes shpalljeve duhet të vihen në dijeni për nisjen e gjykimit.
SPAK thotë se për inceneratorin e Fierit u krye korrupsion, u pastruan para dhe u mashtrua që nga shpronësimi i truallit ku do të ndërtohej inceneratori deri tek faturat fiktive për punimet. Megjithatë të gjithë të pandehurit kërkojnë pafajësi dhe pushim të çështjes.
Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi pak javë më parë hetimet dhe çoi për gjykim të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Dosja është çuar për gjykim për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Lini një Përgjigje