TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Janar 2025, 21:43

Hetimet e SPAK për 21 janarin, Spahiu: Jam pesimist, nuk do të zbardhet si ngjarje

Shkruar nga Pamfleti

Hetimet e SPAK për 21 janarin, Spahiu: Jam pesimist, nuk do të

Pse nuk ka drejtësi 14 vite pas 21 Janarit, ku u vranë 4 protestues të opozitës së atëhershme para Kryeministrisë dhe a po e heton SPAK siç duhet dosjen e nxehtë?

Hetimet që po bëhen dhe deklarata e Altin Dumanit se “pas provave vjen ballafaqimi me dëshmitarët” dhe pyetja nëse ndryshimet në SHBA do ndikojnë te puna e SPAK në të ardhmen.

Çështja u trajtua mbrëmjen e sotme në studion e “Repolitix” në Report TV.  Në lidhje Skype, juristi Kreshnik Spahiu, u shpreh pesimist për hetimet e dosjes dhe përfundimin e çështjes me dënimin e personave përgjegjës që morën pjesë në krim dhe urdhëruan vrasjet. Madje ai ngre edhe shqetësimin për parashkrimin e shumë veprave penale, si në këtë dosje, por edhe në çështje të tjera.

“Për dhjetëra arsye nuk mendoj se jo vetëm 21 Janari, por edhe dosje të tjera humbasin besueshmërinë provat, të dhënat, dëshmitë, etj., çdo ditë e vonuar është e rëndë për Prokurorinë dhe Gjykatën, pasi humbasin dhe rrezikon që vepra penale të parashkruhet. Ka shumë vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës, moskryerjen e saj, dëshmisë etj., janë vepra që janë parashkruar, që nuk mund të nisësh hetimet. Mjafton edhe 5 vite, të shkojë 20 vjet që të parashkruhen shumë vepra”, shprehet juristi për Report TV.

Por çfarë mendon Spahiu për vijimin e hetimeve të nisura dhe fatin e dosjes penale të SPAK?

“Hyj te kategoria pesimiste që them se ngjarja e 21 janarit nuk do zbardhet kurrë. Që nuk do ketë në bankën e të akuzuarve personat përgjegjës që çuan në vrasjen e 4 protestuesve dhe të personave që urdhëruan vrasjet. Nuk mendoj se janë vrasje spontane, nuk mund të ketë ngjarje spontane në 60 sekonda 4 vrasje”, shprehet ndër të tjera ai.

Por çfarë ka ndikuar në zvarritjen e çështjes për 14 vite.

“Ka shumë faktorë, të gjitha së bashku. Por mendoj se frika dhe mungesa e vullnetit politik kanë ndikuar në zvarritjen e saj në vite. Kurse nga muaji korrik, në fakt SPAK është shprehur edhe më parë për këtë, por ka dhjetëra faktorë që çojnë në konkluzionin se vrasja e 21 Janarit nuk do zbardhet. Unë konsideroj zbardhje vendimin gjyqësor të formës së prerë, ku të përshkruhet ngjarja siç e kërkon Gjykata e Strasburgut apo dhe Gjykata e Lartë. Unë hyj tek ata që mendoj se përderisa s’ka pasur vullnet politik, dhe është rasti më i mirë kur s’ka vullnet, sepse faktori i dytë është edhe më i keq, presioni dhe frika, pra që është edhe rasti më i keq”, nënvizon Spahiu.

Lini një Përgjigje