Ditën e sotme në orën 12:00 do të zhvillohet seanca në Gjykatën e Posaçme ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Në këtë seancë do të dëgjohen 12 dëshmitarë të cilët do të provojnë akuzën e prokurorisë, pasi janë pikërisht dëshmitarët që do të tregojnë para gjykatës se si i kanë marrë paratë nga Beleri dhe Kokaveshi.
Kjo është seanca e tretë që zhvillohet në Gjykatën e Posaçme ndaj Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, të dy të arrestuar sa i takon korrupsionit në zgjedhje, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, Beleri dhe Kokaveshi, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, janë ndaluar me arsyetimin se jepnin para në këmbim të votave.
Në seancën e 12 tetorit, përfaqësuesit e Belerit kërkuan përjashtimin e gjyqtares Deda, e cila dhe ajo paraqiti dorëheqje me argumentin se ishte shprehur më parë me vendim për një kërkesë të të pandehurit.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.
Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.
Lini një Përgjigje