Ditën e sotme banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë dhe kanë bllokuar rrugën e Rinasit. Kjo ka sjellë tensione dhe përplasje me policinë. Banorët, kryesisht gratë janë ulur në rrugë, duke zënë një kah të saj. Ata shprehen se vendimi që i jep të drejtën firmës Gener 2 të Bashkim Ulajt që të nisë punimet nuk mund të mbetet kështu.
"Kë shtyn ti. Jam e sëmurë,"- dëgjohet të thotë një grua.
“Kemi 6 muaj që protestojmë, shteti s’do t’ia dijë fare. I jemi ankuar dhe ambasadave, të gjithë bëjnë sehir. jemi banorë të këtij fshati, jemi autoktonë. Mirë që e ktheu rrugën na e hodhi gjithë banorëve, por tani pse nuk vjen të na japë përgjigje, vlerësimin e pronave, të banesave, a ka rrugë dytësore?! Për kë punon ky shtet? Ky projekt rruge ka shkelje.
Ervis Berberi, drejtori i ARRSH nuk e di ku është rruga. E ka fajin shteti, ministria e Infrastrukturës”, thanë banorët.
“Pushtet më të poshtër se ky nuk kam parë. Skllevër na ka bërë Edi Rama”, Kështu shprehet e indinjuar dhe me lot në sy një tjetër banore e Bërxullës. Ajo tha se nuk do ta lëshojë tokën nëse nuk merr zgjidhjen që kërkon.
“Qeveri më të poshtër nuk kam parë. Duhet një roman për të shkruar për Edi Ramën. Jo vetëm për ne fshatarët, por për gjithë Shqipërinë. Ky duhet të jetë kryeministri më i keq jo i Shqipërisë, por i botës, më hajdut bashkë me qeveritarët e tij. Hajdut me gjithë ministren Balluku. Prandaj e çon atë Dallëndyshen. Pasha Zotin, e vdekur nuk kam për ta lëshuar tokën time, deri sa të marrim atë që kërkojmë. Nuk e lëshoj rrugën time”, deklaroi banorja.
“Po protestojmë çdo ditë. Dje ishim përpara Hipotekës për të kërkuar legalizimin e banesave dhe certifikatat e pronave të tona. Atje është han, nuk u shërbejnë qytetarëve. Qëndrojnë në zyra sa për të bërë sehir. Shërbim për popullin nuk ka. Në rast se nuk ke mbi 5 mijë euro nuk zgjidh punë. Ku t’i gjej unë 5 mijë euro. Është e pabesueshme, ne protestojmë prej 6 muajsh, nuk kemi asnjë përgjigje nga shteti. Fshati ndahet përgjysmë sipas projektit dhe gjysma e fshatit nuk komunikon me gjysmën tjetër, as shkollën, as qendrën shëndetësore. Nuk lidhen dot, është një masakër. Nuk i hamë shantazhet e tyre”, tha një banore tjetër.
Banorët e Bërxullës kanë 6 muaj që protestojnë kundër ndërtimit të aksit 'Thumanë-Kashar', segmenti 20.9 kilometrash pjesë e autostradës Milot –Fier. Me ndryshimin e projektit banorët deklarojnë se parashikohet të shemben banesat e tyre. Ato nuk bien dakord me vlerën e shpronësimit për banesën dhe tokën. Të vendosur, thonë se ato do të mbrojnë tokat e tyre deri në vetëflijim, dhe se nuk do të lejojnë firmën 'Gener 2' të futet në tokat e tyre, pa arritur më parë një marrëveshje me to.

Lini një Përgjigje