TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Tetor 2023, 13:01

Gara në SPAK, kush janë 3 kandidatët e parë që kërkojnë të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme

Shkruar nga Pamfleti

Gara në SPAK, kush janë 3 kandidatët e parë që

Ditën e sotme janë dorëzuar aplikimet e tre kandidatëve të cilët duan të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme në SPAK.

Mësohet se kandidaturën e parë e ka dorëzuar prokurori Albert Kuliçi, pas tij edhe prokurori Olsi Dado dhe në fund Kreshnik Ajazi.

Albert Kuliçi ka qenë prokuror në Vlorë, ndërsa aktualisht është prokuror në Tiranë. Në vitin 2019 Kuliçit iu vendos eksploziv në makinë.  Në atë kohë ai hetonte tjetërsimin e pronave në Karaburun e Zvërnec.

Olsi Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 u komandua në Prokurorinë e Përgjithshme si ndihmës magjistrat, transferim që u ndërpre më 6 mars, për të filluar një komandim të ri në SPAK.

Kreshnik Ajazi është një kandidat potencial për të qenë pjesë e strukturës së SPAK.

Kohët e fundit Ajazi, ka ngjeshur CV-në e tij personale me suksese në goditjen e shpërndarjes së drogës në Elbasan, goditjen e grupit të Laert Haxhiut dhe arrestimin e plagosur të Nuredin Dumanit apo Henrik Hoxhaj, të cilët më pas u kthyen në bashkëpunëtorë të prokurorisë.

Ndërsa një vit më parë prokurori Kreshnik Ajazi, shfaqi interes edhe për të garuar për postin e drejtuesit të prokurorisë së Tiranës përballë Arenc Çelës, por kandidatura e tij u përjashtua, për shkak se ai ende s’kishte përfunduar mandatin 3 vjeçar të drejtimit të prokurorisë së Elbasanit dhe nuk ishte i emëruar si prokuror i brendshëm pranë prokurorisë së Tiranës.

SPAK, fillimisht u formua në muajin dhjetor 2019. Pritet që prokurorët të shpalosin strategjinë e tyre së si do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Me zgjedhjen e 3 emrave të rinj, radhët e SPAK shkojnë me 20 prokurorë.

Afati i fundit për aplikime për tre vende vakante në SPAK është dita e hënë, 16 tetor 2023.

spak

Lini një Përgjigje