
Një sherr i ashpër në orët e para të mëgjesit në një lokal nate në Palasë ka alarmuar pushuesit, por jo vetëm. Fillimisht u raportua për të shtëna armësh dhe dhunë fizike mes dy personave gjë që bëri që klientët në lokal të largoheshin të tmerruar. Ngjarja ndodhi në lokalin "Lollipop". Vetë lokali ka reaguar pak më parë dhe mohon të jenë përdorur armë.
Sipas tyre, sherri është menaxhuar nga stafi dhe gjithçka është kthyer në normalitet.
“Lidhur me lajmet e qarkulluara në rrjete sociale dhe portale, dëshirojmë të sqarojmë se mbrëmjen e kaluar nuk ka pasur as armë dhe as persona të lënduar në ambientet tona. Situata është menaxhuar menjëherë nga stafi ynë dhe gjithçka është kthyer në normalitet. Siguria juaj ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë. Ne do te vazhdojmë t'ju dhurojmë netë plot energji, kujtime të bukura dhe argëtim, ashtu siç kemi bërë ndër vite. Me respekt, Lollipop Club”, thuhet në status.
Po ashtu ka reaguar edhe policia, e cila gjithashtu mohon përdorimin e armëve. Ajo bën me dije se dy protagonistët janë proceduar penalisht.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit F. P., 34 vjeç, rezident në Itali, dhe Xh. S., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal, pasi:
Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me një konflikt të ndodhur në një lokal nate, në Palasë, më datë 19.07.2025, rreth orës 02:45, nga verifikimet rezultoi se për motive të dobëta, këta dy shtetas janë konfliktuar dhe kanë hedhur në drejtim të njëri-tjetrit gota dhe shishe qelqi, duke shkaktuar tension në ambient, largim të klientëve të tjerë si dhe dëme materiale në lokal. Të dy shtetasit e përfshirë në konflikt nuk kanë pësuar dëmtime trupore dhe nuk kanë depozituar kallëzim penal ndaj njëri-tjetrit”, thotë policia.
Lini një Përgjigje