TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shtator 2024, 19:34

Çfarë është aplikacioni “Ghost” që pritet të tronditë botën e krimit si “SkyEcc” dhe “EncroChat”

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë është aplikacioni “Ghost” që pritet

Shërbimi përdorte tre standarde të veçanta të kriptimit dhe përdoruesit mund të "vetëshkatërronin" nga distanca të gjitha mesazhet nëse, për shembull telefoni binte në duart e autoriteteve.

Tregu për aplikacionet e bisedave të koduara po lulëzon prej kohësh. Këto aplikacione kodojnë mesazhet për të parandaluar të huajt të lexojnë biseda private. Më të njohurit dhe që tronditën botën, ishin aplikacioni “SkyECC” dhe “EncroChat”, të cilët ishin kthyer në strofulën e kriminelëve.

Në këto aplikacione organizohej i gjithë aktiviteti kriminal i grupeve të ndryshme duke nisur nga tregtia e drogës deri te vrasjet me pagesë. Zbërthimi i këtyre aplikacioneve dhe hapja e mesazheve ka zbardhur shumë krime të ndodhura vite më parë në mbarë botën por gjithashtu edhe në Shqipëri.

Mbyllja e aplikacionit “SkyECC” nuk ndaloi kriminelët që të përqafonin aplikacionet e tjera në internet që ofronin të njëjtin shërbim. Kjo u zbulua nga "Europol" gjatë një hetimi ndërkombëtar, ku policia njoftoi se këtë javë kishte hequr nga qarkullimi një tjetër aplikacion të koduar bisedash të quajtur Ghost, i përdorur nga kriminelët në të gjithë botën.

Operacioni, i koordinuar nga agjencia policore e Bashkimit Evropian, "Europol", është i fundit në një varg heqjesh të aplikacioneve të bisedës që kanë çuar në qindra ndjekje penale.

Por çfarë është aplikacioni "Ghost"?

Tregu për aplikacionet e bisedave të koduara po lulëzon, me WhatsApp-in që është shërbimi më i njohur dhe më popullor. Këto aplikacione kodojnë mesazhet për të parandaluar të huajt të lexojnë biseda private mes përdoruesve. Por disa veçori të shërbimit Ghost, i cili u shfaq për herë të parë në skenë në vitin 2021, e bënë atë shumë më tërheqës për kriminelët, sipas "Europol".

Përdoruesit do të blinin një telefon të personalizuar në vend që thjesht të shkarkonin një aplikacion nga një ofrues në internet.

Përdoruesit mund ta merrnin "Ghost" pa dhënë asnjë informacion personal ose një numër telefoni ekzistues, duke e bërë atë 100% anonim.

Shërbimi përdorte tre standarde të veçanta të kriptimit dhe përdoruesit mund të "vetëshkatërronin" nga distanca të gjitha mesazhet nëse, për shembull telefoni binte në duart e autoriteteve.

"Europol" tha se "Ghost" përdorte serverë "të fshehur" në Islandë dhe Francë, themeluesi i tij ishte në Australi dhe gjurma e parave çoi në Shtetet e Bashkuara.

Kush e përdori atë?

Sipas policisë, "Ghost" përdorej pothuajse ekskluzivisht nga kriminelët.

"Për shumë muaj, dhe në të vërtetë qindra mijëra mënyra komunikimi të përgjuara, ne nuk kemi prova që sugjerojnë se kjo është përdorur nga dikush tjetër përveç ndërmarrjeve kriminale", tha Ndihmës Komisioneri, David McLean nga Policia Federale Australiane.

"Europol" tha se aplikacioni kishte disa mijëra përdorues në mbarë botën me rreth 1000 mesazhe që shkëmbeheshin çdo ditë.

Jean-Philippe Lecouffe, zëvendësdrejtor ekzekutiv i "Europol", tha se operacioni kishte rrëzuar një mjet që ishte mjet shpëtimi për krimin e rëndë dhe të organizuar.

Ky aplikacion mundësoi trafikun e drogës, tregtimin e armëve, dhunën ekstreme dhe pastrimin e parave në shkallë industriale. Në lidhje me operacionin deri më tani janë arrestuar 51 persona, shumica në Australi.

A ka pasur aplikacione të tilla më parë?

Disa aplikacione të tjera kryesore janë hequr në operacione të ngjashme vitet e fundit. "EncroChat" ishte një shërbim me reputacion i përdorur pothuajse ekskluzivisht nga kriminelët dhe si "Ghost" erdhi me telefona të ndryshuar posaçërisht.

Kur u hoq, policia tha se kriminelët u zhvendosën në "Sky ECC", i cili më pas u çmontua. Tre vite më parë një tjetër shërbim, "ANOM", u hoq nga linja dhe qindra u arrestuan. Por problemi këtu ishte se "ANOM" ishte krijuar dhe drejtuar nga FBI që në fillim.

Policia tha në një konferencë shtypi të martën se "Ghost" nuk ishte aq i madh apo aq i përdorur sa këto shërbime të tjera dhe se peizazhi për aplikacionet e koduara ishte bërë "i fragmentuar", raporton "RTE"

Pse u hoq "Ghost"?

"WhatsApp", "Signal" dhe "Telegram" janë pjesë e një fushe të stërmbushur aplikacionesh që reklamojnë veten për privatësinë e bisedave të tyre. Megjithëse shërbimet e tyre janë të ligjshme, disa nga përmbajtjet nuk janë të ligjshme.

Themeluesi i "Telegram", i cili ofron disa shërbime të koduara edhe pse nuk është privat si parazgjedhje, u arrestua së fundmi në Francë për lejimin e përmbajtjes kriminale në platformën e tij.

Dallimi i madh është se shumica dërrmuese e përdoruesve të këtyre aplikacioneve me sa duket nuk janë kriminelë, ndërsa qëllimi i "Ghost" duket se ka qenë të mundësojë biseda private mes kriminelëve./Pamfleti

Lini një Përgjigje