Kryetari Altin Dumani e vuri në funksionim 1 muaj dhe e ç’instaloi mbasi siç thuhet, as vetë nuk duron dot pa bërë biseda private për çështjet hetimore me subjekte penale, me qeveritarë, politikanë, oligarkë e trafikantë; por edhe për faktin se gjatë 1 muaji mbikëqyrje, konstatoi shumë biseda e mesazhe të vartësve që kanë çuar në rrjedhje informacioni
Në platformën e garës së Altin Dumanit për Kryetar i SPAK më 19 dhjetor 2022, ishte dhe “BETIMI”, për t’i dhënë fund skandalit të Arben Krajës, i cili gjatë 3 viteve nuk kishte zbatuar nenin 48 të Ligji Nr. 95, datë 6 tetor 2016 për mbikëqyrjen e vartësve.
Ky ligj i posaçëm ku përfshihet dhe roli kontrollues i FBI, detyron kryetarin e SPAK të vendos në mbikëqyrje telefonike e elektronike veten, familjarët e tij, prokurorët dhe krejt zyrtarët e stafit, me përgjim “non stop” gjatë periudhës që janë pjesë e kësaj strukture.
Sipas ligjit, përpara emërimit në detyrë, kryetari, prokurorët, hetuesit, dhe zyrtarë të tjerë të SPAK e të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë firmosur familjarisht, pranimin e kontrollit të çdo lloj komunikimi elektronik, duke deklaruar numrat telefonik dhe adresat e tjera që kanë.
Një javë pas marrjes së detyrës, kryetari Altin Dumani futi në funksion qendrën e mbikëqyrjes së telefonave e rrjeteve sociale të prokurorëve, nëpunësve të SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit e familjarëve të tyre.
Por pas 1 muaji, saktësisht më 31 janar 2023, me urdhër po të Altin Dumanit u ndërpre mbikëqyrja e tyre, duke bllokuar sistemin me vlerë pajisjesh e instalimi 4.5 milionë Euro dhe 300 mijë Euro mirëmbajtje në vit.
Prej 4 muajsh, sistemi i mbikëqyrjes së komunikimeve telefonike e elektronike të zyrtarëve të SPAK, është jashtë funksionit dhe mbikëqyrja nuk kryhet, tamam si gjatë 3 viteve të drejtimit nga Arben Kraja, megjithëse ligji e detyron të kryhet “non stop” e me raportim paralel në FBI.
Por ndoshta, kryetari Altin Dumani e vuri në funksionim sa për show para partnereve të SHBA-BE, ndërsa pas 1 muaji e ç’instaloi shërbimin e mbikëqyrjes elektronike, mbasi siç thuhet, as vetë Dumani nuk duron dot pa bërë biseda private për çështjet hetimore me qeveritarë, politikanë, oligarkë, trafikantë e miq të tij.
Por edhe për faktin, se gjatë 1 muaji mbikëqyrje, ai ka konstatuar shumë biseda të prokurorëve e vartësve të tjerë, me subjekte në hetim dhe të tjerë të interesuar të lidhur nëpërmjet personave zinxhir, gjë që ka krijuar rrjedhje të shumë informacioneve.
Këtë bllokim, Altin Dumani e ka justfikuar me “defekt sistemi”, duke thënë se do bëhej riformatimi i plotë me ekspertë të agjencisë partnere të BE, por kanë kaluar 4 muaj dhe qendra e mbikëqyrjes së elektronike të zyrtarëve të SPAK është jashtë funksionit.
Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti”, thuhet se ditën e enjte, përfaqësuesi e FBI në Byronë Kombëtare të Hetimit, i ka kërkuar Altin Dumanit, që qendra e mbikëqyrjes eletronike të zyrtarëve të SPAK e familajrëve të tyre, të vihet urgjent në funksionim aktiv e “non stop”.
Në rast të kundërt, partnerët amerikanë kanë paralajmëruar, se mbikëqyrjen elektronike të prokurorëve e familjarëve të tyre, do ta marrin vetë në dorë si shërbim të njëanshëm; duke e ngritur në aktivitet përgjimi e gjurmimi zinxhir, për çdo komunikim e me cilindo, që vetëvetiu do të thotë edhe për krerët e shtetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje