TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Janar 2024, 21:02

Dyshohet se pastroi paratë e Beqajt, “bëhet i gjallë” Ermal Mamaqi dhe sulmon mediat: Jam me duar të pastra, me keni shkaktuar dëm psikologjik!

Shkruar nga Pamfleti

Dyshohet se pastroi paratë e Beqajt, “bëhet i gjallë”

Më në fund është bërë i gjallë këngëtaroaktori-biznesmen Ermal Mamaqi. Emri i tij doli te dosja e SPAK, ku duket se Mamaqi ishte i përfshirë te një skemë pastrimi parash nga ish-ministri Ilir Beqaj. Restoranti i Mamaqit është pjesë e listës së faturave fiktive dhe ai ka reaguar sot, ku sikundër pritej, ka mohuar gjithçka.

Mamaqi inatin e ka me mediat që e nxorën zbuluar, ku i kërcënon me pasoja nëse nuk përgënjeshtrojnë lajmet. Po ashtu ai shprehet se të tilla shkrime i kanë shkaktuar dëm të madh psikologjik.

Reagimi i Mamaqit

Përshëndetje të gjithëve!

Nisur nga një lajm i rremë që po qarkullon së fundmi dua të bëj një sqarim për fansat dhe dashamirësit e mi, gjithashtu kam një kërkesë të drejtëpërdrejtë për të gjithë ata që në mënyrë të qëllimshme ose prej mungesës së profesionalizmit, kanë kontribuar në shumëfishimin e kësaj të pavërtete.

Nuk jam i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash dhe nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, ndryshe nga çfarë po përflitet.

Ky informacion i rremë, i shpërndarë nga disa media dhe gazetarë të cilët kanë shkelur me të dyja këmbët etikën dhe parimet e profesionit të tyre, ka shkaktuar dëme psikologjike, morale dhe ekonomike.

Për rrjedhojë, ju bëj thirrje që të përgënjeshtroni dhe fshini të gjithë lajmet në adresën time lidhur me këtë çështje, pasi në të kundërt, ndaj çdo subjekti të përfshirë do të ketë një ndjekje ligjore ku secili do përballet me pasojat që parashikon ligji.

Ndërsa atyre që janë angazhuar në fyerje dhe shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes, dua t’ju them se nuk është kjo mënyra për t’u ndjerë më mirë, apo për të ngushëlluar veten.

Kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjëje. Dhe e vërteta ime është puna që bëj, sakrificat e mia, arti im.

Në fund, dua ta mbyll me një lajm të mirë për të gjithë ata që më kanë mbështetur këto ditë dhe që kanë qëndruar pranë meje. Shumë shpejt lançoj dy projekte të reja filmike, do të shihemi në trajnimet për vetëzhvillimin dhe në shumë projekte të reja të cilat do t'i zbuloj në muajt në vijim.

Këto janë punët e vetme që di të bëj dhe falë tyre gëzoj çdo gjë që kam.

Shihemi së shpejti,

Ermali

Lini një Përgjigje