
Pesëdhjetë persona, banorë të bashkisë së Bulqizës janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi.
Rreth 50 persona janë paraqitur ditën e sotme në spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur shenja helmimi.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se ata janë helmuar nga uji i pijshëm. Dyshohet se ujërat e zeza janë përzierë me ujin e pijshëm. Në Qytetin e Ri në Bulqizë, po bëhen punime në rrjetin e ujërave të zeza.
Ekspertët janë në terren, për kryerjen e analizave të ujit. Megjithatë nuk janë raste të një lagjeje apo fshati, por janë të shpërndara dhe po verifikohet situata për të gjetur shkakun.
Me marrjen e njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit, informon sot policia e Dibrës.
"Komisariati i Policisë Bulqizë, ka marrë njoftim se disa shtetas banorë të bashkisë Bulqizë, ishin paraqitur në spital për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi.
Me marrjen e njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.
Në përfundim të hetimeve, do të ketë informacion më të detajuar", thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se edhe një vit më parë dhjetëra banorë të njësisë administrative Gjoricë në Bulqizë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e helmimit nga uji i pijshëm.
Si në Spitalin e Bulqizës, por edhe në qendrën shëndetësore, ka pasur një fluks të vizitave me shenja helmimi nga banorët e kësaj zone, kryesisht me të vjella dhe diarre.
Nga analizat e kryera nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë (NJVKSH), ka rezultuar që uji ka qenë i ndotur.
Ndërkohë në spital me shenjat e helmimit ishin paraqitur rreth 50 persona. Mjeku i Qendrës Shëndetësore në Gjoricë tha në atë kohë se ka një tendencë në ulje të personave që dyshohet se mund të jenë helmuar.
“Është thuajse dita e tretë sot që vazhdojmë me rastet. Sot rreth 7-8 vetë kanë qenë që do të thotë se është një numër më i ulët se i djeshmi, të paktën deri në këto momente. Simptomat janë bark e të vjella, dhimbje barku, që është karakteristikë e asaj që tashmë mendohet të jetë, helmimi nga uji. Nuk kanë pasur komplikacione të rënda, shpresojmë të përmirësohet situata”, tha mjeku Telman Veliu.
Ndërsa një banor u shpreh në qershor të 2023-shit se ka të paktën 4 ditë që ka ndodhur ky problem.
“Ka të paktën 4 ditë që ka ndodhur ky problem. Është një nga arsyet kryesore që njerëzit duhet ta bëjnë lajmërimin se njerëzit vijojnë të pinë ujë. Kemi depozitën e ujit pa asnjë lloj roje. Ne japim lekë dhe shkojmë nëpër spitale nuk është mirë. 99% ujit ia kam lënë. Aty ia kam lënë nuses. Gocën tre vjeçare e kam pas me të vjella, dhe temperatura. Duhet roja te depozita. Shteti duhet të marrë masa. Këtë e dimë që hedhin klor”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje