
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka folur lidhur me kapjen e dronit në burgun e Peqinit, i cili po transportonte për të burgosurit lëndë narkotike, celularë. Ky rast ngriti alarmin për sigurinë në burgje.
Softa theksoi se duhet të ketë një legjislacion të posaçëm për përdorimin e dronëve. Ai shtoi se ato duhen përdorur mbi një peshë të caktuar, pasi mbi 200 gram mund të mbajnë lëndë të dëmshme.
“Dronët po marrin përdorim të gjerë. Janë futur edhe në strukturën policore. Kjo gjë mbetet edhe për botën e krimit. Teknologjia investohet edhe për grupet kriminale. Mendoj se çështje nuk është vetëm e burgjeve por edhe e qeverisë shqiptare. Duhet ligj për dronët. Në cilët nivele dronët duhen përdorur për qytetarët. Mbi një peshë të caktuar, mbi 200 g mund të mbajnë lëndë edhe të dëmshme. Shërben edhe për ekzekutim. Duhet kontroll. Çështje shumë e rëndësishme”, tha Softa për “Report Tv”.
Më tej, ai theksoi rëndësinë e investimeve në burgje dhe se çdo burg duhet ndërtuar mbi sandarde sigurie.
“Nevoja për të përdorur lëndë narkotike kthehet në nevojë jetike. Përdorin elementë të tillë për të depërtuar. Nuk mund të mbeten larg nga ajo botë që kanë lënë. E dyta korrupsioni, pagat apo mungesa e kontrollit të personelit ul nivelin e sigurisë. Në Peqin nuk punon as kamerat e sigurisë. Peshorja anon nga korrupsioni. Çdo burg duhet ndërtuar mbi standard sigurie. Duhet investim edhe tek njerëzit. Në burgje ka dhe diferencim. Më të fortët jetojnë më mirë, duke shfrytëzuar më të dobëtit. Një pjesë i kanë kthyer burgjet në salla stërvitje”, u shpreh Softa.
Lini një Përgjigje