TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shtator 2024, 16:41

Pastrim parash dhe shpërdorim detyre, GJKKO i kthen SPAK-ut dosjen e mjekut Edvin Prifti: Hetimet janë të paplota!

Shkruar nga Pamfleti
Pastrim parash dhe shpërdorim detyre, GJKKO i kthen SPAK-ut dosjen e mjekut
Mjeku Edvin Prifti

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i ka kthyer SPAK-ut dosjen e mjekut Edvin Prifti për plotësim hetimesh.

Gjyqtarja Elsa Ulliri i ka dhënë dy muaj afat kohor prokurorit Sotir Kllapi, të plotësojë dosjen e më pas të ribëjë kërkesën për kalimin e saj për gjykim.

Vendimi u mor në seancën e sotme e cila zgjati më shumë se dy orë.

Në muajin shkurt të këtij viti, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO për mjekun Edvin Priftin, i cili akuzohet për, “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “pastrim parash”.

Sipas SPAK, nga hetimet nga rezultuar se Edvin Prifti gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, “të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.”

Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund  t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.

Lini një Përgjigje