Gazetari Artan Hoxha tha sot se është problematike dhe shqetësuese që Shqipëria është një vend tërheqës për personazhe të përshirë në afera e skandale me përmasa të mëdha, si të dosjes “Epstein”.
I ftuar në Syri Tv, Hoxha shpjegoi se tërheqja e këtyre figurave lidhet me funksionin që Shqipëria luan në pastrimin e parave dhe në shkarkimin e lobimeve dhe interesave të ndryshme.
Sipas tij, persona të tillë veprojnë si ndërmjetës që ofrojnë shërbime për interesa politike dhe ekonomike, duke përfituar nga mungesa e kontrollit efektiv.
Ai theksoi se ky fenomen nuk është i izoluar dhe nuk mund të shmanget lehtësisht, pasi këta aktorë qarkullojnë globalisht. Hoxha vuri në dukje se vende të ndryshme që kanë pranuar praninë e tyre shpesh kanë sisteme diktatoriale ose gjysmëautokratike, si disa shtete të Azisë Qendrore dhe Kaukazit.
Sipas gazetarit, këta persona zgjedhin vende me institucione të dobëta, ku mund të qarkullojnë shuma të mëdha parash pa pengesa të mëdha ligjore. Në këtë kuadër, ai nënvizoi se problemi nuk qëndron te ekzistenca e tyre, por te fakti që Shqipëria shfaqet si një destinacion tërheqës për ta.
“Unë mendoj se më shumë sesa këta ‘broker-at’ ndërkombëtarë, janë të gatshëm për të të ofruar mundësinë që t’i përdorësh si shkarkues lobimi dhe interesash. Edhe këta janë në rolin e pastrueses.
Po të shikosh, vendet që lëvizin me këta personazhe shumë të rëndësishëm për politikën globale në momente të caktuara, janë ose diktatoriale, ose gjysmëautokratike, Kazakistan, Azerbajxhan , etj.
Ata gjejnë vende të botës së tretë, ku sigurisht, atje mund të lëvrohen këto shuma të mëdha pa kokëçarje për ta. Prandaj them që ne nuk na interesojnë shumë se çfarë bëjnë këto lloj personazhesh, se janë në qarkull edhe nëse nuk duam ne.Problemi dhe fatkeqësia jonë është që, si është e mundur, që një vend si ne me resurse shumë të cunguara, të bëhet kaq kërshërindjellës për këto lloj personazhesh”,-tha Hoxha.
Lini një Përgjigje