TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2025, 08:00

Dosja “CEZ-DIA”, Ilir Meta jep llogari sot në SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Dosja “CEZ-DIA”, Ilir Meta jep llogari sot në SPAK

Meta do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet. 

Ish-Presidenti Ilir Meta do të dalë sot për disa orë nga qelia ku po qëndron, për t’u dërguar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Mësohet se Meta do të paraqitet në SPAK në orën 10:00. Ish-presidenti do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet. 

Meta u arrestua më 21 tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “Arrest në burg” teksa akuzohet për tre vepra penale si korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

SPAK e akuzon Ilir Metën se ka ndërmarrë veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA në kohën kur ka qenë ministër i Energjetikës gjatë qeverisjes “Berisha 2”.

Ish-Presidenti reagoi në rrjetet sociale nga qelia për marrjen në pyetje ditën e martë, duke thënë se do të jetë ai që do t’i marrë në pyetje hetuesit.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Pa dyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruan Meta në Facebook.

Në ngarkim të Metës është dosja e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni, për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi ish-bashkëshorte e Ilir Metës. Ndaj Kryemadhit, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje. 

Lini një Përgjigje