TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Mars 2024, 14:26

Dosja "21 janari", Gjykata e Lartë tërhiqet për vendim

Shkruar nga Pamfleti

Dosja "21 janari", Gjykata e Lartë tërhiqet për vendim

Gjykata e Lartë është tërhequr për të marrë vendimin lidhur me dosjen e “21 janarit”.

Në Gjykatën e Lartë u shqyrtua kërkesa e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të cilët kërkojnë që dosja e ’21 janarit’ t’i kalojë SPAK.

Prokurori Alfred Shehu në deklaratën e tij u shpreh se SPAK nuk ka regjistruar kallëzim penal por vetëm regjistrim kallëzimi duke theksuar mes tjerash se për këtë arsye nuk duhet të pranohet rekursi i Rajmonda Nikës, trashëgimtare e Aleks Nikës që mbeti i vrarë më në protestën e 21 janarit në 2011.

Shehu theksoi gjithashtu se që prokurori të ngrejë akuzë duhet të zhvillojë një hetim të thelluar. Gjithashtu, prokurori tha se pavarësisht ngjarjes së rëndë, nuk rezulton që ngjarja të jetë kryer në formën e bashkëpunimi të veçantë që të jetë kompetencë e SPAK.

Dosja hetimore e “21 Janarit”, lidhet me protestën e zhvilluar në 21 janar 2011 përballë Kryeministrisë, ku mbetën viktima katër persona. Sot Gjykata e Lartë vendos nëse dosja do t’i kalojë SPAK-ut apo do të mbetet në duart e Prokurorisë së Tiranës.

Por të afërmit e Aleks Nikës, për vrasjen e të cilit prej 13 vitesh nuk ka asnjë të re nga hetimet e prokurorisë së kryeqytetit, thanë se SPAK, duhet të fokusohet në hetime edhe ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi.

Ky qëndrim i familjes Nika, por edhe të afërmve të tre të vrarëve të tjerë në bulevard, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, nuk u pranua nga SPAK me konkluzionin se çështja po hetohej sakaq në Prokurorinë e Tiranës.

Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje moshetimin dhe moszbardhjen e vrasjes së tij. Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës.

 

Lini një Përgjigje