Në Gjykatën e Lartë po shqyrtohet kërkesa e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të cilët kërkojnë që dosja e ’21 janarit’ t’i kalojë SPAK.
Ka qenë prokurori, Alfred Shehu, i cili i është përgjigjur si përfaqësues i SPAK, duke theksuar në mënyrë që prokurori të ngrejë akuza duhet hetim i thelluar.
Prokurori gjithashtu ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye që të pranohet rekursi i gruas së Aleks Nikës.
"Çmojmë se nuk ka shkaqe që të pranohet nga ky kolegj rekursi i bërë nga ankuesja. Nuk ka të dhëna për ekzistencën e faktit penal. Në SPAK nuk është regjistuar kallëzim penal të shtetases Rajmonda Nika. Nga verifikimi na rezultoi se Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosjen e disa personave të tjerë. Për të njëjtat vepra ishte duke hetuar edhe Prokuroria e Tiranës. Po ashtu organi i akuzës në kryeqytet në bazë të hetimit nuk ka identifikuar persona konkretë, që të konstatojë se janë kompetencë e SPAK. Të gjendur përballë këtyre fakteve në kemi vendosur që aktet e procedimit penal të dërgoheshin në prokurorinë e Tiranës.
Shkresa e SPAK për dërgimin e akteve në Prokurorinë e Tiranës eshte e pa ankimueshme. Vendimet e shkalles së parë dhe asaj të Apelit duhet të lihen ne fuqi. Kërkojmë nga Gjykata e Lartë mos pranimin e rekursit", u shpreh prokurori.
Kujtojmë se një ditë më parë, përmes një letre Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës kërkon që Gjykata e Lartë të vendosë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të regjistrojë hetimin penal për ngjarjen e 21 Janarit 2011.
Sot Gjykata e Lartë vendos nëse dosja do t’i kalojë SPAK-ut apo do të mbetet në duart e Prokurorisë së Tiranës.
Lini një Përgjigje