Një ditë pasi festoi ditëlindjen e 80-të nga arresti shtëpiak, ku ndodhet prej 30 Dhjetorit 2023 me vendime të GJKKO dhe Gjykatës së Lartë, për akuzën e "korrupsionit pasiv", ish-kryeministri Sali Berisha do të mësojë sot edhe gjyqtarin e dosjes ndaj tij.
I pandehur për dosjen Partizani është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, 2 biznesmenë dhe financierja e familjes.
Pas një hetimi 4-vjeçar, SPAK njoftoi ditë më parë se ka mbyllur hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani", duke dërguar për gjykim 5 të pandehur, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe financierja Andia Pustina.
Tashmë dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do duhet të vendosë nëse kalon ose jo për gjykim. Kjo është hera e parë që një ish-kryeministër dërgohet për gjykim, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv.
Përfaqësuesit e akuzës, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, dorëzuan të martën e 15 tetorit materialin në gjykatë me 333 fashikuj. Ditën e sotme, në orën 09:00, Gjykata e Posaçme do të hedhë shortin për të caktuar trupën gjykuese për dosjen ‘Partizani’.
Lini një Përgjigje