
Klaudio Prendi i cili u ekzekutua në mesnatë në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.
Fran Prendi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda prej vitit 2006, detyrë që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme. Në nëntor 2020 ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut.
Firmën e tij si kryesues e mbajnë dhjetëra vendime gjyqësore, mes të cilave ai ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të tij në vitin 2018, si edhe ndaj Salvatore Lettizias, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin "Zogu I" në vitin 2015.
Klaudio Prendi u qëllua me breshëri plumbash, ndërsa humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë në zonën e Farkës është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve.
“Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.
Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar”, njofton policia.
Lini një Përgjigje