
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është paraqitur raporti i parë i Observatorit Shqiptar të Femicidit, organ i Avokatit të Popullit sipas të cilit rezulton se 32 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri në 3 vitet e fundit. Sipas raportit autorë të këtyre vrasjeve në 90% të rasteve ka qenë partneri intim ose një anëtar i familjes.
“Përtej kësaj shifre zyrtare, ka shumë histori të pa-rrëfyera dhune dhe diskriminimi. Këto gjetje kërkojnë masa urgjente dhe shpresoj që parlamenti dhe autoritetet do të trajtojnë boshllëqet që identifikohen në këtë raport në mënyrë urgjente”, thotë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Sipas Gonzatos, edhe më shqetësues vjen fakti se 90% e viktimave të Femicidit, apo vrasje e grave dhe vajzave për shkak të gjinisë kanë përjetuar dhunë më parë nga autorët por strukturat parandaluese kanë qenë të shurdhëta.
“Më pak se 20% të personave viktima i kishin raportuar më parë këto incidentet në familje dhe vetëm dy kanë marrë mbrojtje. Dhe kjo tregon një mungesë ndjeshmërie, një mungesë të qasjes proaktive kundrejt këtij problemi të tmerrshëm. Fakti që Shqipëria po negocion në mënyrë aktive me BE, duhet të na kujtojë se anëtarësimi në BE nuk është thjesht një proces rregullator, nuk është thjesht miratim ligjesh, por ka të bëjë me një transformim shoqëror. Duhet të përpiqemi të gjithë që në shoqëritë tona Femicidi dhe dhuna kundër grave dhe çdo grupi të cenueshëm nuk ka vend”, shton Gonzato.
Më tej, duke prezantuar këto statistika, ambasadori i BE-së në ka kërkuar nga Kuvendi kryerjen e të gjitha proceduarave të nevojshme për emërimin e Avokatit të Popullit. Sipas Gonzatos, kjo situatë po krijon anomali.
Lini një Përgjigje