Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë ka liruar nga qelia Diomet Musën, autorin e plagosjes së kreut të Operatorëve Turistik Arben Çipa.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 37-vjeçarin Diomet Musa, i cili dhunoi barbarisht kreun e Operatorëve Turistikë në Sarandë 52-vjeçarin Arben Çipa, alias Sotir Çipa. Gjykata e ka cilësuar si të paligjshëm arrestimin e tij në flagrancë dhe ka urdhëruar lirimin nga paraburgimi, me kushtin që i hetuari të mos largohet nga banesa.
Masa do të mbikëqyret nga policia gjyqësore, ndërsa Prokuroria dhe autoritetet përkatëse janë ngarkuar me ekzekutimin e vendimit. Palët kanë të drejtën e ankimimit në Apel brenda pesë ditëve.
37-vjeçari Diomet Musa akuzohet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” në bashkëpunim, për goditjen me grushte, shkelma dhe sende të forta të biznesmenit Arben Cipa, rreth orës 14.10 të së premtes. Pas ngjarjes, Musa u fsheh në një banesë në Lukovë, por u kap dhe arrestua nga policia në mbrëmje, ndërkohë që ende në kërkim mbetet kushëriri i tij 29-vjeçar Markelian Musa.
Në dëshminë e tij, biznesmeni Arben Çipa tha se u sulmua brutalisht nga 2 persona pas një konflikti lidhur me një projekt biznesi. Shkak i sherrit është bërë ndërtimi i një linje elektrike që po bënte Arben Çipa për të furnizuar me energji një bar restorant në zonën e Heremecit. 52-vjecari pretendon se po ndërton linjën elektrike në bazë të një projekti të OSHEE, ndërsa autorët kanë kundërshtuar, pasi aty, do ndërtojnë një biznes.
Lini një Përgjigje