
Analisti Fitim Zekthi ka folur lidhur me aktin barbar ndaj avokati të Berishës Sokol Mëngjesi.
Ai tha se dhuna ndaj avokatit është një goditje për sigurinë e qytetarëve, përveç goditjes ndaj drejtësisë.
Zekthi u shpreh se fakti që është goditur një avokat shumë i njohur në mes të Tiranës tregon se kemi një shkallë të sigurisë publike shumë të ulët.
“Janë një seri mekanizmash që garantojnë sigurinë që kanë dështuar. Kanë dalë disa banditë atje në mes të Tiranës që kanë dhunuar jo vetëm një avokat të njohur, por një qytetar dhe ky është një mesazh që i jepet avokatëve të tjerë, prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha Zekthi për “News 24”.
Ndërsa i pyetur mbi Komisionin e Posaçëm të miratuar nga Kuvendi në funksion të rezolutës anti-korrupsion, analisti u shpreh se ky komision është një përpjekje për të penguar punën e SPAK dhe organeve të tjera të drejtësisë.
“Çfarë do të bëjë ky komision, do të hulumtojë dhe do na thotë se çfarë nuk shkon? Pse duhet një komision i posaçëm, kur ne kemi një Komision Parlamentar Ligjesh? Edi Rama po mendon se si të gjejë mekanizmat për të ndikuar në veprimtarinë e SPAK. Thuhet se Rama do të tentojë ndryshimet në Kodin Penal ose do ngarkojë SPAK me lloj-lloj dosjesh, duke e larguar nga veprat penale për të cilat u ngrit Prokuroria Speciale.
Një qeveri që është kapur në korrupsion, madje bën çështë e mundur për të penguar SPAK, atëherë si mund të pranohet kur thonë se ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar SPAK? Sot qeveria nuk ka çuar asnjë denoncim në SPAK. Qeveria po pengon SPAK dhe kjo duket edhe nga ulja e kallëzimeve”, tha Zekthi.
Zekthi shtoi se qeveria mund ta pengojë, por nuk do të mund të bllokojë SPAK.
“Kemi një institucion që ka mbështetje ndërkombëtare, ka mbrojtje të mirë ligjore, ka prokuror me integritet. E kanë dëshmuar që nuk kanë frikë nga kërcënimet, ka një strukturë të trajnuar nga SHBA siç është BKH. Besoj se ndonjë pengesë mund ti bëjnë, por Rama s’do mund ta bllokojë”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo mazhorancë që është subjekt hetimi nuk mund të pretendojë që të luftojë korrupsionin.
Lini një Përgjigje