
Policia ka reaguar mbi zjarrin që ka rënë në një qendër tregtare në Lushnje. Përmes një njoftimi policia bën me dije se janë marrë masat për evakuimin e banorëve.
Qendra tregtare ndodhet në katet e para të një pallati dhe sipër saj ka banorë që jetojnë në apartamentet e tyre. Për këtë arsye është ndërhyrë për të mos lejuar përhapjen e flakëve më lart.
“Rreth orës 14:40, njoftohemi se në Qëndrën Tregëtare "Metropol" në qytetin e Lushnjës ka rënë zjarr. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme "Shqiponja" kanë shkuar në vendngjarje dhe po marin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare. Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve. Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit”, njofton policia.
Sipas burimeve, ka disa persona të asfiksuar që janë dërguar në spital. Ndërkohë nga pamjet e transmetuara disa qytetarë janë detyruar të dalin nga ballkonet e banesave. Vetë ministri Taulant Balla ka reaguar duke thënë se situata është komplikuar për shkak të banesave lart.
“Një zjarr i madh në Qendrën Tregtare Metropol në Lushnjë ka krijuar një situatë tepër të vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme. Forcat zjarrfikëse dhe policia po luftojnë për të vendosur nën kontroll situatën e rëndë”, shkruan Taulant Balla.
Mësohet se shumë makina zjarrfikëse kanë shkuar në godinë dhe po ndërhyhet për shuarjen e flakëve. Por tymi i madh ka bërë që shumë persona të kenë komplikime shëndetësore. Dyshimet paraprake janë se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Mësohet se në katër hyrje ka ende persona brenda. Sipas dëshmive thuhet se disa prej këtyre personave nuk po përgjigjen ne telefona, çka shton frikën për asfiksim dhe bllokim në ambientet e shtëpisë.
Lini një Përgjigje