Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar nga drejtësia greke, por ai nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit...
Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka përfunduar sërish në SPAK. Grupi i Berishës ka bërë një padi penale ndaj tij, ku kërkohet pezullimi nga detyra.
Ai akuzohet se ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit në dy raste, një dënim nga drejtësia greke. KQZ mbylli sytë përballë shkeljes së tij, por opozita kërkon nga SPAK marrjen e masave.
Për Partinë Demokratike ekzistojnë kushtet ligjore për nisjen e hetimeve ndaj Hajdarit dhe pezullimin e tij nga detyra si kryetar bashkie.
Në kallëzim thuhet gjithashtu se Kreshnik Hajdari ka qenë në dijeni të plotë të dënimit, pasi ai ka qenë prezent në kohën e dhënies së tij. PD shprehet se Hajdari e ka fshehur dënimin në formularët e vetëdeklarimit para zgjedhjeve të 2019-ës dhe atyre të 2023-shit, duke konsumuar kështu veprën penale të falsifikimit të formularëve që parashikon dënim me burg.
“Kërkojmë ndjekjen penale të shtetasit Kreshnik Hajdari, i biri i Rizait dhe Halimese, lindur në Berat dhe banues në Kuçove, i datëlindjes 29.07.1982, me detyrë kryetar i bashkisë Kuçove, akuzuar për veprat penale të falaifikimit te formularëve të parashikuar nga neni 190 I kodit Penal”, thuhet në dokument.
Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit”. Ai drejton bashkinë e Kuçovës dhe fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 Majit. Vendimi për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari është dhënë në vitin 1999 nga gjyqtari i vetëm i gjykatës penale të Janinës, Nicolaos Raptis. Gjyqtari e ka gjetur fajtor dhe dënuar Hajdarin me 1500 Dhrami. Por ai nuk e ka deklaruar këtë gjë në formular.
Duhet theksuar se vetë SPAK ka nisur hetimet për këtë rast, pasi ka kërkuar në KQZ formularin e dorëzuar nga Hajdari. Por duket se tani kemi dhe një padi zyrtare. Po ashtu duhet theksur se vetë kandidati i PD në Kuçovë, Lefter Maliqi ka bërë disa padi në SPAK kundër Hajdarit.
Lini një Përgjigje