
Konkurrenca kërkon të "përgjojë" si Prokuroria e Posaçme...
Nuk kanë fund çudirat në Shqipëri. Teksa SPAK po bën namin me përgjime dhe sekuestrime telefonash, duket se të njëjtën gjë duan të bëjnë edhe organet e tjera. Dhe nuk e kemi fjalën për organe të inteligjencës apo sigurisë, por për Autoritetin e Konkurrencës.
Ky organ, që kur është themeluar ka bërë vetëm “petulla me ujë”. Edhe pse është ai që duhet të fusë në shina tregun, në fakt nuk bën asgjë. Ata që e drejtojnë thjesht marrin rrogën dhe kaq. Ka pafund raste të shkeljes së konkurrencës financiare, mirëpo Denar Biba nuk vepron.
Kompanitë celulare po bëjnë namin dhe asnjë lëvizje. Ato të qumështit po ashtu, karburanti po e po, spitalet private gjithashtu. Kudo që të hedhësh sytë ka monopol, por justifikimi që dha sot kreu i Autoritetit të Konkurrencës ishte se nuk ka hapësira ligjore.
Biba raportoi në Komisionin e Financave për punën e një viti; perla e të gjithave ishte se ai kërkoi ndryshime ligjore, ku Konkurrenca të bëjë dhe rolin e SPAK, pra të ketë akses në celularë.
“Homologët tanë ju marrin celularët. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre i kanë pasur nga Sky, nga EncroChat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermanët, të gjitha vendet e BE-së i kanë”, tha Denar Biba.
Ai pranoi se hetimet në tregun e grumbullimit të qumështit, të fruta-perimeve dhe atë të spitaleve private kanë dështuar për shkak të mungesë provash. Sipas tij, mënyra më e mirë është të sekuestrohen telefonat e zyrtarëve të kompanive.
“Kur flet me ta off the record, të gjithë nxjerrin shpirtin edhe t'i thonë të gjitha. Kur vjen puna për të ofruar një mesazh WhatsApp-i që e ka pasur me grumbulluesin përkatës, thotë mos na merrni në qafë. Ju themi nuk do t'ju nxjerrim, ore kemi detyrim ndaj ligjit. Nëse ne ju nxjerrim, ju shkojmë për shpërdorim e tyre, nuk pranojnë në asnjë lloj rrethane. Fenomeni nuk është vetëm shqiptar”, tha Biba.
Në mbledhjen që zgjati afro 4 orë pati shumë debat, ku nuk munguan kritikat nga deputetët. Më kritik ishte Erion Braçe, i cili u fokusua te bujqësia.
Lini një Përgjigje