Chair Airlines ishte parashikuar të bëhej kompania e parë ajrore që do të operonte në Aeroportin e Vlorës, me dy fluturime në javë në linjën Zyrih–Vlorë, duke nisur nga 26 qershori 2026. Por shërbimi për në Vlorë është anuluar për sezonin veror 2026...
Përplasja mes ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po kthehet në pengesën kryesore për hapjen e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Konflikti mes kompanisë zvicerane “Mabco Constructions”, të lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, dhe shoqërisë shqiptare “2A Group”, ka çuar në bllokim punimesh, vonesa në certifikim dhe tashmë edhe në anulimin e planeve të kompanisë zvicerane Chair Airlines për të nisur fluturimet drejt Vlorës.
Chair Airlines ishte parashikuar të bëhej kompania e parë ajrore që do të operonte në Aeroportin e Vlorës, me dy fluturime në javë në linjën Zyrih–Vlorë, duke nisur nga 26 qershori 2026. Por sipas përditësimeve të orareve të kompanisë, shërbimi për në Vlorë është anuluar për sezonin veror 2026 për shkak të vonesës në hapjen e aeroportit, ndërsa fluturimet do të zhvendosen drejt Ohrit.
Në qendër të ngërçit është përplasja për kontrollin e shoqërisë që administron projektin. “Mabco” pretendon se zotëron 98% të kompanisë koncesionare dhe se është investitori kryesor i veprës, ndërsa akuzon “2A Group”, që mban pjesën tjetër të aksioneve, se ka tentuar të marrë kontrollin e projektit. Nga ana tjetër, konflikti mes palëve ka përfunduar në gjykata dhe ka shkaktuar bllokim të punimeve në kantier.
Gjykata e Lartë i dha së fundmi të drejtë “Mabco”-s, duke rrëzuar kërkesën e “2A Group” dhe duke prishur vendimet e mëparshme që kishin kufizuar të drejtat vendimmarrëse të kompanisë së Pacollit. Sipas raportimeve, konflikti kulmoi në mes të majit, kur punonjës dhe nënkontraktorë të “Mabco”-s nuk u lejuan të hynin në kantier.
Situata ka vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Pas paralajmërimit publik të ministrit Enea Karakaçi, institucioni u ka kërkuar zyrtarisht dy kompanive që të zgjidhin ngërçin brenda 30 ditësh, në mënyrë që të vijojnë punimet për përfundimin e aeroportit. Në të kundërt, ministria paralajmëron mundësinë e prishjes së kontratës.
Në shkresën zyrtare, ministria i referohet kontratës së projektit, ku thuhet se “koncesionari është tërësisht përgjegjës për veprimet, vonesën dhe pakujdesinë” që lidhen me zhvillimin e projektit. Po ashtu, institucioni mbështetet te pika 15.4 e kontratës, e cila parashikon të drejtën e Autoritetit Kontraktues për zgjidhjen e saj në rast të mosrespektimit të afateve dhe detyrimeve.
Përplasja mes ortakëve nuk është problemi i vetëm. “Mabco” ka ngritur edhe shqetësime për sigurinë, duke pretenduar se pajisje të rëndësishme për certifikimin e aeroportit janë bllokuar në dogana prej më shumë se shtatë muajsh. Kompania kërkon një kontroll të pavarur ndërkombëtar për pistën dhe sistemet e sigurisë përpara nisjes së operimeve.
Ndërkohë, projekti vijon të shoqërohet nga kritika mjedisore për shkak të ndërtimit pranë lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur dhe habitat i rëndësishëm për shpendët migratorë. Organizata mjedisore dhe institucione evropiane kanë ngritur më herët shqetësime për ndikimin në ekosistem dhe për rreziqet që prania e shpendëve mund të krijojë për sigurinë ajrore.
Në këtë mënyrë, Aeroporti i Vlorës, i prezantuar si porta e re ajrore e jugut të Shqipërisë, po mbahet peng nga një përplasje aksionarësh, me pasoja të drejtpërdrejta për afatet e hapjes, kompanitë ajrore dhe besueshmërinë e projektit. /Pamfleti
Aeroporti thone qe ka probleme me cedimet! Media te kontrolloje!
Po ç’far Chair Airlines flisni me????? Nje kompani e charteruar nga 1 individe ose nje Agjensi Turistike. Po ca problemi edhe nese terhiqet chairi? Chairi u perdor per hi syve nga ish manaxheret e VIA- s per publikun dhe mediat qe nuk bejne analiza ..