Analisti Andi Bushati thotë se sot nuk ka shqiptar, që nuk e ka kuptuar se Edi Rama është i korruptuar.
Ai shprehet i revoltuar me Ambasadën Amerikane, pse e mbështet.
"100% Rama ka korruptuar dhe përdorur McGonigalin. Që nga shkurti nuk ka shqiptarë me mend në kokë që nuk e ka kuptuar.
Opinioni ndahet që, ca që duan të jenë pozitivë thonë, i zoti ky, bir k*rve ky, bleu dhe amerikanin, ca thonë që bleu dhe kjo është gjë e keqe.
Nuk thotë njeri që nuk bleu Rama, McGonigalin.
Kur kjo është e mirëqënë, që Rama, me Duçka, me Neza, me tuçka, me të gjithë këta bashkë e bleu, atëherë si vazhdon dhe ka mbështetje nga Ambasada amerikane", thotë ai.
Ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, është deklaruar këtë të premte fajtor në gjykatën federale të Uashingtonit, duke pranuar se ka fshehur pagesa sekrete të bëra në drejtim të tij nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar.
McGonigal pranoi se ka falsifikuar të dhënat dhe ka bërë deklarata të rreme në lidhje me 225,000 dollarët që mori nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, gjatë kohës që punonte për FBI-në.
Sipas deklaratës së Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ish-agjent i posaçëm i Byrosë Federale të Hetimit i ngarkuar me detyrë në zyrën e Nju Jorkut, pranoi pas marrëveshjes me prokurorët se 225,000 dollarët i ka marrë nga një individ që kishte interesa biznesi në Evropë, teksa po mbikëqyrte punën e kundërzbulimit.
Për çështjen e pagesave nga ish-zyrtari i inteligjencës shqiptare (Agron Neza), akuza parashikon një dënim maksimal me pesë vite burg për McGonigal, i cili po ashtu akuzohet se ka shkelur ligjet kundër pastrimit të parave dhe sanksioneve, pasi kur la detyrën si shefi i kundërzbulimit në FBI, nisi të punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska.
Në FBI ai kishte për detyrë të hetonte pikërisht oligarkët rusë, por filloi të punonte për Deripaskën dhe u pagua prej tij për të lobuar në SHBA që të tërhiqeshin sanksionet.
Ish-zyrtari i FBI-së doli para një gjykate në Nju Jork më 15 gusht, duke u deklaruar fajtor për akuzën që e implikon atë në skemën e ngritur në shërbim të oligarkut rus, i cili ishte sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2021.
Për lidhjet me Deripaskën, McGonigal rrezikon të kalojë pesë vite të tjera pas hekurave, me dënimin që do t’i komunikohet ish-zyrtarit të FBI në seancën gjyqësore që do të zhvillohet në 14 dhjetor.
Lini një Përgjigje