Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar kundër Dezinformimit, Erion Braçe, ka folur sot për mediat online.
Ai tha se ka shumë media, pjesa dërmuese online, të cilat janë të përfshirë në dezinfomim.
Sipas Braçes, pjesa më e madhe e tyre janë të paregjistruara dhe funksionojnë në informalitet të plotë.
“Ka ardhur pranë komisionit një listë e gjatë e medias online, që vihen në dispozicion apo dhe media vizive, që bien pre e dezinformimit. Ja dhe i publikuam, po pastaj? Pjesa më e madhe e tyre janë informale dhe të paregjistruar askund. Duhet të fillojë të rregullimi, regjistrimi dhe verifikimi i fakteve nga mediat, kaq kërkojmë, nuk kërkojmë ndonjë gjë të madhe”, tha ai.
Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të funksionojë për një afat kohor 1-vjecar, dhe synon të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike duke nisur nga fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.
Ngritja e Komisionit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe parlamentin evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja.
Në përfundim të punës 1-vjecare, Komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe masat administrative.
Lini një Përgjigje