TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Nëntor 2023, 22:24

Batërdia mjedisore/ “Gener 2” siguroi koncesione në zona të mbrojtura, 40% të HEC-eve me vlerë miliona euro i transferoi

Shkruar nga Pamfleti

Batërdia mjedisore/ “Gener 2” siguroi koncesione në zona

Vendi ynë është ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta natyrore, duke përfshirë ato me origjinë hidrometeorologjike dhe gjeologjike si tërmetet, përmbytjet dhe thatësira.

Në rang botëror Shqipëria renditet ndër vendet me pasoja të larta ekonomike nga fatkeqësitë. Rreth 86% e territorit ku gjenerohet afërsisht 88,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto është e ekspozuar ndaj dy ose më shumë rreziqeve.

“Është e mundshme që të goditet 80-85% e PBB-së nga këto fatkeqësi pra kërcënimi është që mund të goditen kaq. Prandaj vlerësimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Organizata e Kombeve të Bashkuara po kërkon që këto çështje të shpallen emergjencë botërore. Të shpallet rreziku apo kërcënimi nga klima apo fenomenet e tjera ekstreme”, u shpreh Dr.Xhavit Shala, ekspert për fenomenet ekstreme të natyrës dhe çështjet e sigurisë.

‘Nëse flitet për ndryshimet klimatike është gjëja e fundit që mendohet. Si shqiptar mendojmë sot për sot maksimumi për nesër. Por kurrë nuk mendojmë sot për 5, 15 apo 20 vitet e ardhshme dhe kjo në projeksione të ndryshme na ka bërë një nga vendet më të ekspozuar nga rreziqet e ndryshme të ndryshimeve klimatike”, u shpreh Avdulla Diku, ekspert mjedisi.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me ndërtimin e një Hec-i në zonën e pellgut ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe Zallit të Melthit.

Kjo zonë me një VKM të 2018 është bashkuar me parkun e Lurës duke krijuar një park të vetëm Lurë-Mali i Dejës. Kështu, HEC-i rezulton në brendësi të parkut. Banorët dhe aktivistët e shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin dhe funksionimin e këtij HEC-.

“Pas ndërtimit të një HEC-i në parkun kombëtar Zall-Gjoçaj që është 2500 metra brenda parkut kombëtar në pjesën strikte të parkut ndërprerja e rrjedhjes së Flimit për 25 km ka paralizuar gjithë jetën e zonës duke përfshirë gjallesat, bletët, bujqësinë blegtorinë dhe ujin e pijshëm pasi ky është një burim që pihet. Me ndërprerjen e ujit është ndërprerë gjithë aktiviteti zonës“, u shpreh aktivisti Dhimitër Koleci, aktivist.

“Të dy lumenjtë janë shteruar fare nga firma që ka marrë ujin, është devijuar uji merret në Zall-Gjocaj del te kroi Kolës fut në një tunel dhe sipërfaqe 25 km lumë është pa asnjë pikë ujë. Ne aty në fshat s’kemi çfarë të bëjmë as blegtoria as bletaria nuk kanë si jetojnë pa ujë. Dhe ne jetën tonë e kemi të lidhur me këtë, me blegtorinë dhe bletarinë“, u shpreh banori Adem Gjokola.

Kompania që ka ndërtuar hidrocentralin ka marrë ujin nga të dy lumenjtë që përshkojnë fshatin Gjoçaj, duke lënë banorët në mëshirë të fatit. I vetmi burim ujë është kjo çezëm e vogël e cila nuk mjafton për një familje dhe jo për gjithë fshatin.

“Këtu ndodhemi në fshatin Gjocaj kjo është çezma e katundit pothuajse gjithë katundi këtu mbush ujë. Janë tharë të dy lumenjtë i kanë marë për HEC-e. Kanë marrë lumin e Flimit këtëj në Zall-Gjocaj kanë marrë edhe lumin e Selitës që vjen këtej në krahun tjetër dhe janë bërë HEC-e. Ka dëmtuar gjithë fshatin qoftë për bagëti për të gjitha gjërat që ka. Edhe njerëzit kur nuk kishin ujë këtu shkonin në lumë dhe lanin rrobat e shtëpisë“, u shprehën banorët e zonës.

Në 10 shator të 2020 ERE ka licensuar shoqërinë “SEKA HYDROPOWER”, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC-et: “Sekë” dhe “Zais” për një afat 28 vjeçar.

Ajo që bie në sy është se në të shkuarën, aksioner i kompanisë me 40% të kuotave ka qenë edhe kompania “GENER 2”. Fjala është për të njëjtin subjekt që ka ndërtuar HEC-e mbi lumin Valbonë në Tropojë, duke dëmtuar një prej perlave të natyrës shqiptare.

SEKA HYDROPOËER shpk është një shoqëri koncesionare e krijuar nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “GENER 2” shpk dhe HYDRO-PROJECT shpk për zbatimin e kontratës koncesionare të lidhur me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në vitin 2012.

Por vetëm një vit pas lidhjes së kësaj kontrate të majme, në 2013 me vendim të asamblesë së ortakëve të shoqërisë, aprovohet largimi i ortakut “GENER 2”, i cili do të transferojë 40% të kuotave të zotëruara prej tij në favor të ortakut tjetër “Hydro-Project”, kundrejt asnjë shpërblimi.

Kalim i dyshimtë ky ku “GENER 2” pranon që të kalojë 40% të kuotave pa asnjë shpërblim për një aset më vlerë miliona euro. Në këtë mënyrë “HYRDO-PROJECT” shpk bëhet ortake e vetme e shoqërisë me 100 % të kuotave. /TCH

Lini një Përgjigje