TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Mars 2025, 17:44

Banorët terrorizohen me polici, oligarku Bashkim Ulaj nis zaptimin e tokave për ndërtimin e fshatit turistik

Shkruar nga Pamfleti

Banorët terrorizohen me polici, oligarku Bashkim Ulaj nis zaptimin e tokave

Oligarku Bashkim Ulaj ka dërguar rreth 100 forca policie në fshat për t'i terrorizuar banorët dhe detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e pronat që i kanë me letra prej vitesh.

Më 30 dhjetor 2024, Edi Rama i dha oligarkut Bashkim Ulaj statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort turistik me vila në zonën e Velipojës. Ulajt me firmën e Kryeministrit iu dha e drejta për të shfrytëzuar për 30 vite, pa taksa, 10 mijë m2 plazh, ndërkohë që sipërfaqja ku do të shtrihet fshati turistik është 147 ha.

Plot 3 muaj nga ky vendim, banorët e Baks-Rrjollit të Velipojës u përballën me terrorin policor, pasi kundërshtojnë të dorëzojnë tokat dhe pronat e tyre tek oligarku i Edi Ramës. Banorët pretendojnë se kanë dokumente pronësie për tokat dhe pronat, ndërkohë që përballë tyre qendron një gardh policor.

Nga video e mëposhtme e publikuar nga "JOQ" jepen sekuencat e përplasjeve, ndërsa banorë të zonës akuzojnë policinë dhe përfaqësues të "Gener2", kompanisë së Ulajt, se po i nxjerrin nga shtëpitë.

Ata thonë se oligarku Bashkim Ulaj ka dërguar rreth 100 forca policie në fshat për t'i terrorizuar dhe detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e pronat që i kanë me letra prej vitesh.

Banorët thonë se oligarku i kompanisë "Gener 2" ka falsifikuar dokumentet dhe pretendon se ka blerë tokën ku do të ndërtohet fshati i tij turistik me emrin “Blue Borgo”.

Ky fshat turistik do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.

Por duke qenë se shteti s'ia mundëson gjithë këtë hapësirë, një investitori strategjik si Ulaj, ai ka nisur të terrorizojë banorët e fshatit, duke iu hequr edhe bukën e gojës, pasi shumë prej tyre kanë lënë sot punën për të protestuar dhe mbrojtur pronën që kanë.

Ndërkohë duhet thënë se Rana e Hedhun është privatizuar praktikisht nga oligarku Baç Ulaj, pasi përveç dhënies së koncesionit Thumanë-Kashar që e bën më të thjeshtë shkuarjen në Lezhë, tani do çojë më shpejt pushuesit në restorin e tij turistik, thuhet në denoncimin e publikuar nga "JOQ".

Bashkim Ulaj është një nga oligarkët që dikur shfaqej në krah të ish-Kryeministrit, Sali Berisha dhe konsiderohej si një nga mbështetësit e PD-së, veçanërisht në fushatat zgjedhore. Por shpejt ai duket se u ambientua me padronin e ri të Qeverisë, dhe vijoi të përfitojë koncensione dhe projekte, ndërsa sot konsiderohet si një ndër të besuarit e Ramës, mes oligarkëve që hodhën themelet dhe ngritën katet e para të perandorisë së tyre me pushtetin e Sali Berishës.

Vetëm gjatë 2024-ës, Edi Rama i dha 4 dhurata me vlerë totale 2 miliardë Euro tenderë, pasuri, koncesione rrugësh, TEC-e dhe 13 leje ndërtimi kullash, resortesh e pallatesh, ndërtuesit Bashkim Ulaj.

Ulaj përfitoi pa garë koncesionin 54 milionë Euro me TVSH, për përmirësimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë në gjatësi 13,5 km, në emër të kompanisë “Gener 2” dhe “Illyrian Consulting Engineers” e “I.D.K Konstruksion”, të cilat janë nën kontrollin e tij.

Gjithashtu oligarkut Bashkim Ulaj iu dha e drejta nga Edi Rama të taksojë drejtuesit e automjeteve, për kalimin në rrugën Thumanë-Kashar për 35 vite me vlerë totale 1.3 miliardë Euro fitim, të cilat do t’i marrë 100% për vete, por sipas kontratës me qeverinë, tarifat mund të rriten në çdo 5 vite.

Po nga Rama, Bashkim Ulajt iu dha leja për ndërtimin e TEC-it “Fier Thermoelectric” me gaz e mazut në Roskovec, me afat 30 vite, duke u dhuruar dhe tokën shtetërore; i cili do prodhojë e shesë energji eletrike për Greqinë, nëpërmjet firmës “Gener 2” e dy firmave greke, për të cilat thuhet se janë të Bashkim Ulajt.

Për të gjitha projektet e përfituara nga Bashkim Ulaj ka pasur reagime qytetare dhe protesta, por ajo që është fakt është se opozita e drejtuar nga Sali Berisha si rrallëherë në rastet e kauzave të tilla, nuk i është bashkuar, ka heshtur, ose është përpjekur të ndryshojë drejtimin.

E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në rastin konkret, atë të banorëve të Baks-Rrjollit të Velipojës, që pretendojnë se po u grabiten pronat, ndërsa u përballën me policinë e vënë në shërbim të oligarkut. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje